Mbyllet burgu i sigurisë së lartë 313

13/02/2015 00:00

Deri para pak ditësh, në qelitë e burgut “Jordan Misja” mbaheshin dhjetëra të paraburgosur në pritje të fjalës së drejtësisë. Sot ky burg është boshatisur dhe pas dhjetëra raporteve për kushte jo të përshtatshme ata janë transferuar.

Kamera e Top Channel ka hyrë në këto ambjente, ku gjenden ushqime përtokë, shkrime mbi mure për familjen dhe të tjerë, krevate boshe, por edhe sende personale të lëna pas nga 500 të paraburgosur që tashmë janë transferuar.

Pas mbylljes së paraburgimit “Jordan Misja”, i njohur më së shumti si 313-a, por edhe i konsideruar si ndër paraburgimet me kushtet më të këqia, të paraburgosurit janë transportuar drejt burgjeve të tjera si tek 302-shi, ai në Vaqarr dhe ai në Fushë Krujë.

I pyetur nga Top Channel, nëndrejtori i përgjithshëm Bledar Skënderi shpjegoi se pas kritikave të shumta burgu u mbyll për t’u rikonstruktuar.

“Është mbyllur për arsye rikonstruksioni, për përmirësimin e kushteve të të paraburgosurve. Nga Ministria e Drejtësisë është çelur një fond dhe po konsultohen të gjitha paraburgimet. Problemet kanë qenë se godina është e vjetër, nuk ishte bërë për paraburgim ose burg, është bërë e tillë më vonë dhe nuk ka pasur tualete nëpër dhoma”, deklaroi Skënderi.

Godina është ndërtuar në vitin 1929, ndërkohë që nga viti 1944 e në vijim gjatë diktaturës ai u quajt burgu numër 5. Në të u burgosën ata që konsideroheshin aso kohe si armiq dhe kriminelë të luftës.

Dhe më vonë u dërguan në qeli edhe kundërshtarët e komunizmit, që nga qytetarë të thjeshtë e intelektualë deri tek anëtarët e udhëheqjes komuniste.

Burgu e mori emrin famëkeq “Reparti 313” në vitin 1955, me një qarkore të nxjerrë nga Ministria e Brendshme pasi mbaheshin edhe të dënuarit me vdekje përpara se ata të ekzekutoheshin. Pas 1990-s në paraburgimin “Jordan Misja” u krijua edhe pavioni vip, në të cilin u mbajtën të arrestuar të bujshëm si Nexhmije Hoxha, Fatos Nano, etj.

Top Channel