Fondi për punësimin, Rama: Katërfishohet për 2015

13/02/2015 00:00

Nga Fieri Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministrin e Erjon Veliaj prezantuan fondin e nxitjes së punësimit në një nga kompanitë përfituese.

Sipas Kryeministrit ky fond për 2015-n është katërfishuar në raport me qeverisjen e shkuar.

“Ka një fond të posaçëm për nxitjen e punësimit që i vihet në dispozicion atyre që kërkojnë punë dhe kompanive. Kjo është qasja jonë që të shohim si t’ia dalim, jo vetëm kur moti tërbohet, por edhe kur lind dielli. 361 subjekte përfituan në 2014 që punësuan 4 mijë punëkërkues. Këtë vit fondi është dyfish më i madh. Madje programet e nxitjes së punësimit nëse ezaurojnë fondin e dhënë, do vëmë sërish fonde në dispozicion”, deklaroi Kryeministri Rama.

Duke marrë shkas edhe nga gjendja e krijuar si pasojë e përmbytjeve, Ministri Veliaj ftoi bizneset që të marrin në konsideratë që të punësojnë më së shumti banorë nga zonat e përmbytura, pasi në këtë mënyrë do marrin bonus nga fondi i nxitjes së punësimit.

“Në të dyja rrethet që janë prekur nga përmbytjet, Fieri dhe Vlora, ky fond shkon në mbi 1 milion dollarë, pra është rreth 20 për qind e fondit për gjithë Shqipërinë”, tha ai.

Sipas Ministrit të Mirëqenies Sociale nga fondi prej 4.5 milion dollarësh për nxitjen e punësimit përfitojnë ato kompani që do të punësojnë punëtorë nga kategori të ndryshme. Fondi për nxitjen e punësimit ka sqaruar Veliaj, përbëhet nga gjashtë programe të ndryshme, duke subvencionuar punëdhënësit me pagesën e sigurimeve shoqërore për një vit dhe katër paga për çdo punonjës të punësuar.

Top Channel