Kisha e Elbasanit shqetëson Vatikanin; pronarët e tokës kërkojnë bisedime me kishën

13/02/2015 00:00

Vendimi i Gjykatës për Kthimin e Truallit ku është ndërtuar kisha katolike në Elbasan do të jetë preçedenti i parë pas rrëzimit të diktaturës i prishjes së një objekti kulti, veprim që i kanë paraprirë në reagimin e përbashkët të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend.

“Shqetësimet vijnë jo vetëm nga kisha katolike, por edhe nga besimtarët pasi është krijuar një ndjenjë frike se objektet e kultit mund të prishen. Mendoj se prishja e objekteve të kultit ka mbaruar me përfundimin e kohës komuniste”, deklaron Ilir Hoxholli.

Me këtë garanci, Komiteti i Kulteve thotë se shqetësim është shprehur edhe nga Vatikani, me të cilin shteti shqiptar ka nënshkruar një marrëveshje.

Në pikën 9 të saj thuhet se, për çështjet e dyshimta, të pazgjidhura dhe të diskutueshme, që kanë të bëjnë me Kishën Katolike në përgjithësi apo me objekte të veçanta të saj, ato do të zgjidhen përmes një komisioni të përbashkët “ad hoc”, çka nuk ka ndodhur në këtë rast.

“Mendoj se kjo është një çështje që ka marrë përmasa jashtë Shqipërisë, sepse edhe Vatikani ka ngritur shqetësime. Interesi është edhe nga ndërkombëtarët edhe nga Nunci Apostolik në Tiranë. Të gjendet një hapësirë ligjore që kisha të mos prishet”, thotë Hoxholli.

Historia e kishës së Elbasanit

Plot 17 vjet nga përfundimi i ndërtimit të kishës katolike në Elbasan, ky objekt kulti ndodhet përpara kërcënimit për prishje në bazë të vendimeve të gjykates, më i fundit i asaj të Lartë.

Kjo e fundit, ashtu si dhe shkallët më të ulëta të gjyqësorit, i ka njohur të drejtën kthimit të tokës ku kisha është ndërtuar ish-pronarëve. Hijet e dyshimit të këtyre vendimeve të gjyqësorit, shprehur edhe në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve të komuniteteve fetare në vend, u ngritën për shkak të emrit të Odeta Nishanit, zonjës së parë të vendit, që figuron si një ish-pronare e tokës.

Gjykatat vendosën në favor të këtyre të fundit, pavarësisht se leja për ndërtimin e kishës dhënë nga këshilli pluralist i rrethit në atë kohë daton në gusht 1991, rinovuar në 1992, ndërsa blerja e tokës nga kisha është bërë në 1994 dhe objekti i kultit është hipotekuar në 1997 me përfundimin e ndërtimit të tij.

Por paralelisht me blerjen e tokës nga kisha, komisioni i kthimit të pronave ia ka njohur ish-pronarëve pronën në po të njëjtin vit, por pa përcaktuar kthimin e saj, vendim që ish-pronarët nuk e ankimuan në gjykatë, por kërkuan të drejtën sërish tek komisioni i kthimit të pronave që ua njohu këtë të drejtë.

Ajo që bie në sy është fakti se ish-pronarët i janë drejtuar gjykatës për herë të parë vetëm në vitin 2007, plot 10 vjet nga përfundimi dhe hipotekimi i kishës, vit në të cilin Bujar Nishani mbante postin e ministrit të Brendshëm.

Ish-pronarët kanë fituar në Gjykatën e Elbasanit pas një procesi 5-vjeçar në të, në prill 2011, që për koinçidencë përkon me lënien e detyrës në po atë muaj të postit të ministrit të Drejtësisë nga Bujar Nishani. Një muaj përpara zgjedhjes së tij si president, Gjykata e Apelit rikonfirmon të njëjtin vendim dhe vetëm pak ditë më parë edhe Gjykata e Lartë.

Mbi këto fakte mesa duket ngrihet edhe dyshimi për këtë vendimmarrje nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Por trashëgimtarët e familjes Karaosmani, pasardhëse e së cilës është edhe zonja e parë e vendit, mohojnë çdo ndikim të saj në këtë proces.

“As Odeta e as presidenti, as janë marrë me këtë punë e as nuk e dinë ku janë pronat tona dhe është shumë absurde një veprim i tillë, qoftë i kishës, qoftë i të tjerëve”, deklaron Bulent Tela.

Ai thotë se familja dëshiron të hyjë në bisedime me kishën. “S’e çojmë nëpër mend këtë praktikë, që të prishet kisha, por sipas ligjeve të marrim një pjesë të territorit me qera. Gjithçka varet nga bisedimet me kishën katolike”, nënvizon Tela.

Megjithë tolerancën e pronarëve, gjithashtu në të drejtën e tyre, kishës i ofrohet të hyjë në bisedime për një tokë që ia ka paguar njëherë shtetit, situatë që dëshmon edhe njëherë katrahurën e asaj që ka ndodhur me pronat në Shqipëri, që nuk kanë përjashtuar as shtëpinë e Zotit dhe gjithmonë kanë konfirmuar kthimin e pronës vetëm tek më i zoti.

Top Channel