Përvjetori i pavarësisë, New Born ndryshon pamje

13/02/2015 00:00

Ashtu siç është bërë traditë prej dy vjetësh, para 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, obelisku New Born do të ndërrojë sërish pamje.

Ngjyrat ushtarake të Monumentit të Pavarësisë të premten janë mbuluar me bojë të bardhë për të bërë gati për ngjyrosjen e re.

Sipas autorit Fisnik Ismaili, këtë vit New Born do të mund të ngjyroset nga të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata janë të lirë të vizatojnë aty çfarë të duan.

Ismajli, i cili që prej fillimit e ka konceptuar obeliskun si një monument “të gjallë” që ndryshon vazhdimisht pamje, ka thënë se ngjyrosja fillon të shtunën dhe do të vazhdojë deri të hënën në mbrëmje.

“Ta ngjyrosim të gjithë bashkë, si të kemi qejf”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, ku dhe ka bërë thirrje që kush dëshiron të marrë pjesë në lyerjen e re të vijë bashkë me familje, duke sjellë me vete furça e bojë.

Për herë të parë, ngjyra e verdhë që kishte obelisku kur u vendos para Pallatit të Rinisë më 17 shkurt 2008, u ndyrshua në 2013-n, kur me nismë të autorit të tij u pikturuan në secilën shkronjë flamuj të shteteve që kanë njohur Kosovën.

Një vit më vonë tradita vazhdoi me ngjyrat e uniformave ushtarake për të nderuar dëshmorët që ranë për çlirimin e vendit nga serbët.

Top Channel