FMN akordon 17.5 miliardë dollarë për Ukrainën

14/02/2015 00:00

Konflikti në lindje të Ukrainës është kthyer në një betejë që përveçse ka marrë jetë njerëzish, ka shkatërruar edhe ekonomin e vendit.

Për këtë arsye Fondi Monetar Ndërkombëtar vendosi  që t’i akordojë Ukrainës një fond prej 17.5 miliardë dollarësh, duke shpresuar se do ta stabilizojë sadopak vendin.

Përveç kostove të mëdha për furnizime ushtarake, si edhe zhvendosjes se më shumë se një milion njerëz nga lindja, Ukrainës i është dashur të përballet me një kolaps në vlerën e monedhës së saj, inflacionit edhe borxhit të madh publik. Po ashtu ngrirja e tregtisë me Rusinë, partnerit më të madh të gjithë këtyre, ka  paralizuar shumë industri, duke sjellë edhe rënien drastike të investimeve të huaja.

Ndërkohë edhe pas nënshkrimit të armëpushimit midis qeverisë së Kievit dhe asaj të Moskës, luftimet në Donjeck sa vijnë edhe rëndohen.

Një raund tjetër granatimesh mori jetën e të tjerë civilëve, si edhe shkatërroi sistemin e ngrohjes së qytetit dhe shkëputi energjinë elektrike.

Rebelët e firmosën paktin që parashikon edhe tërheqjen e armatimeve të rënda, por sërish ka çështje thelbësore që kërkojnë zgjidhje. Vetë Merkel, ujdinë e Minskut e përshkroi si “një rreze shprese”, as më shumë e as më pak se kaq.

Nëse marrëveshja e paqes nuk do të zbatohet, ashtu sikurse shumë ekspertë mendojnë, atëherë Rusia do të përballet me një raund të ri sanksionesh, po ashtu Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se mund të dërgojë një seri armatimesh të rënda për forcat qeveritare.

Top Channel