Sulmet kibernetike, Obama: Kompanitë e mëdha të bashkëpunojnë me qeverinë

14/02/2015 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara i ka bërë thirrje kompanive të mëdha të ndajnë më shumë informacione me qeverinë dhe me njëra tjetrën për të luftuar krimin kibernetikë.

“Ne duhet të punojmë së bashku si kurrë më parë. Qeveria nuk mund ta bëjë këtë e vetme, gjithashtu edhe sektori privat nuk mund ta përballojë i vetëm, prandaj bashkëpunimi është i detyrueshëm”, tha Obama gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë.

Mbrojtja nga kërcënimet kibernetike është kthyer në një çështje thelbësore për Shtëpinë e Bardhë që prej sulmeve ndaj “Sony Pictures Entertainment” dhe marrjes së profileve në “Twitter” dhe “YouTube” të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë disa prej kompanive më të rëndësishme teknologjike, si “Google”, “Yahoo” dhe “Facebook” janë shprehur kundër mbikëqyrjes nga qeveria dhe nuk kanë pranuar ftesat për pjesëmarrjen në konferencën e organizuar nga Shtëpia e Bardhë mbi sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e konsumatorëve në Universitetin “Stanford” në Kaliforni.

Plani i Presidentit Obama bën thirrje për zhvillimin e një grupi të përbashkët vullnetar për mbrojtjen e lirive civile. Sipas Shtëpisë së Bardhë, një njësi e inteligjencës do të merret me mbikëqyrjen e kërcënimeve kibernetike.

Top Channel