Vazhdojnë luftimet në Ukrainë, Poroshenko: Marrëveshja e paqes në rrezik

14/02/2015 00:00

Presidenti i Ukrainës ka paralajmëruar se marrëveshja për t’i dhënë fund luftës në lindje të vendit është në “rrezik të madh” pasi luftime të ashpra janë duke vazhduar në prag të nisjes së armëpushimit.

Petro Poroshenko akuzoi sërish Rusinë se ka rritur ndjeshëm ofensivën e saj, pavarësisht marrëveshjes së paqes të arritur në Minsk ditën e enjte. Ndërkohë, edhe Shtet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me armët e rëndë, të cilat futen nga kufiri me Rusinë.

Me shumë se 10 civilë thuhet se kanë vdekur gjatë ditës së premte. Është e paqartë se kush ishte pas bombardimeve të së premtes, pasi forcat ukrainase dhe rebelët pro-rusë akuzojnë njëri-tjetrin për bombardime në zonat e banuara.

Më pak se 24 orë para se armëpushimi të hyjë në fuqi, mediat ndërkombëtare shkruajnë se luftimet nuk kanë shenja për t’u ndalur.

Beteja të ashpra janë zhvilluar pranë Debaltseve, një  qytetar strategjik mes zonave të kontrolluara nga rebelët. Zëvendësministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Petro Mekhed tha se rebelët po tentojnë të ngrenë flamurin mbi Debaltseve dhe në Mariupol para nisjes së armëpushimit.  

“Ukraina po merr të gjitha masat e nevojshme në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të luftimeve” tha Petro Mekhed.

Top Channel