Kanada, shmanget vrasja në masë, arrestohen 3 persona

14/02/2015 00:00

Policia kanadeze deklaron se ka shmangur një komplot për kryerjen e një masakre në zonën e Halifaksit, ditën e shtunë.

Tre të dyshuar janë arrestuar ndërsa një i katërt qëlloi për vdekje veten pasi forcat e policisë rrethuan shtëpinë e tij.

“Të paktën dy nga të dyshuarit kishin ndërmend të shkonin në një vendtakim me qëllimin që të hapnin zjarr dhe të vrisnin qytetarët dhe më pas veten”, deklaroi një zyrtar policie.

Autoritetet thanë se plani duket se nuk kishte sfond terrorist, por nuk dhanë detaje të tjera.

Brian Brennan, komandant i policisë në Skocinë e Re, tha se në plan ishin përfshirë një djalë 19-vjeçar nga një lagje periferike e lokalitetit Halifaks dhe një vajzë 23-vjeçare nga shteti amerikan i Illinoisit.

Të dy ata kishin pasur akses tek armët e zjarrit. Kur policia shkoi për të arrestuar 19-vjeçarin, ai vrau veten, deklaroi në kushte anonimati një oficer për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Ndërkohë, një 20-vjeçar kanadez u arrestua bashkë me vajzën 23-vjeçare në aeroportin ndërkombëtar të Halifaksit, ndërsa i dyshuari i katërt u vu në pranga në shtëpinë e tij. Rolet e këtyre dy të fundit janë ende për t’u përcaktuar nga hetuesit, vijuan burimet policore.

Komandanti Brennan tha se do t’i përshkruante të dyshuarit si një grup individësh me disa besime dhe që ishin të gatshëm të kryenin akte dhune ndaj qytetarëve, por shtoi se nuk ka asnjë provë që ta klasifikojë planin si sulm terrorist.

Autoritetet janë të bindura se kanë kapur të gjithë individët e përfshirë në këtë rast dhe se kanë eleminuar rrezikun, shtoi oficeri.

Top Channel