Argjentinë, presidentja drejt përballjes me akuza serioze

14/02/2015 00:00

Një prokuror në Argjentinë i ka kërkuar një gjyqtari federal që të hetojë presidenten Cristina Fernandez de Kirchner lidhur me dyshimet se ndihmoi në fshehjen e lidhjeve iraniane me atentatin e vitit 1994 në lagjen hebraike të Buenos Airesit, ku humbën jetën 85 persona.

Prokurori Gerardo Pollicita trashëgoi çështjen e nisur nga Alberto Nisman, i cili u gjet i vdekur në rrethana misterioze.

Nga ana e saj presidentja mohon akuzat, duke e cilësuar hetimin një “sulm anti-demokratik”. Nga ana tjetër, edhe Irani mohon përfshirjen në ngjarjen e 21 viteve më parë.

Lëvizja e prokurorit Pollicita do të thotë se gjykatësit do t’i duhet të vendosë nëse do të autorizojë hetime të reja për të provuar përfshirjen e Kirchner.

Nëse të dyja palët bien dakord se ka elementë të mjaftueshëm për të provuar se presidentja kreu një krim, atëherë ajo mund të përballet me një hetim dhe akuza konkrete.

Përpara vdekjes, Nisman kishte publikuar një raport mbi atentatin në lagjen hebraike, ku ngriheshin dyshime se presidentja dhe zyrtarë të tjerë kishin mbrojtur të dyshuarit iranianë në këmbim të marrëveshjeve të favorshme për naftën dhe mallra të tjera.

Zoti Nisman u gjet i qëlluar në kokë në janar, disa orë përpara se të raportonte mbi hetimin në një komitet parlamentar.

Nga ana e saj, Kirchner sugjeroi se ai mund të jetë manipuluar që të vrasë veten nga agjentë të devijuar të shërbimeve sekrete, në përpjekje për të diskretituar figurën e saj.

Sidoqoftë, në dokumentin e shkruar nga pasardhësi i Nisman thuhet se ka prova të mjaftueshme për të vazhduar me çështjen.

Top Channel