SHBA, deklarohet fajtor ish-marinsi vrasës

14/02/2015 00:00

Një ish-marins amerikan, që dyshohet se kishte formuar një bandë ndërkombëtare snajperësh që punonin si mercenarë, ka treguar për autoritetet planet për një vrasje në Nju Jork.

Joseph Hunter, i njohur ndryshe me nofkën Rambo, u vetëdeklarua fajtor për komplot për vrasjen e një agjenti federal dhe një informatori.

Ushtaraku 49-vjeçar rrezikon të përballet me 10 vjet burg. Ai mendonte se po punonte për trafikantë droge, që në të vërtetë ishin agjentë të agjencive qeveritare të anti-drogës.

Hunter akuzohet për rekrutim të ish-snajperëve të marinës me qëllim kryerjen e krimeve për llogari të organizatave kriminale.

Anëtarët e bandës u regjistruan në mënyrë të fshehtë teksa binin dakord të vrisnin një agjent të DEA-s dhe një informator të tij për 800 mijë dollarë, deklarojnë prokurorët.

Vrasjet nuk u kryen kurrë. Ish-ushtaraku u arrestua në shtator 2013 bashkë me 4 bashkëpunëtorë të tjerë, 3 prej të cilëve snajperë, që kishin shërbyer në forcat e armatosura në misione në mbarë botën.

Hunter, duke menduar për familjen e tij, vendosi të shmangë gjyqin që ishte planifikuar për më 9 marsin e ardhshëm, deklaroi avokati i tij për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Mbrojtësi i të pandehurit tha se, ai u vetëshpall fajtor pavarësisht se besonte se qeveria, në mënyrë ilegale e kishte futur në një kurth.

“Gjykimi i Hunter ishte prekur jashtë mase nga stresi post-traumatik dhe depresioni pas dy dekadave në ushtrinë amerikane”, deklaroi avokati, për të shtuar se dënimi i tij pritet të shpallet në maj.

“Ai u bë një ushtar i fatit të keq, që rekrutoi dhe drejtori një bandë ndërkombëtare mercenarësh. Tani kjo bandë do të mbyllet në muret e një burgu federal”, deklaroi nga ana tjetër prokurori amerikan Preet Bharara, që hetoi çështjen.

Top Channel