Irak, ISIS vijon avancimin, 8 km larg bazës amerikane

14/02/2015 00:00

Shtetit Islamik ka marrë nën kontroll një qytet iraken vetëm 8 kilometra larg bazës ajrore amerikane, ka deklaruar Pentagoni.

Autoritetet amerikane minimizuan rënien e Al Bagdadit, që ndodhet në një distancë të përshkueshme nga raketat nga baza Ain al Asad. Baza në fjalë u sulmua nga ISIS të premten, edhe pse militantët u zmbrapsën nga fuqia e zjarrit.

Deri në rënien e tij, Al Bagdadi ishte një nga të paktat qytete në provincën perëndimore të Anbarit që kontrollohej ende nga ushtria irakene.

Admirali John Kirby, zëdhënës i Pentagonit, deklaroi në orët e fundit se zhvillimet duhet të merren në konsideratë. Kjo është hera e parë në muajt e fundit që grupi xhihadist fiton kaq shumë terren, tha Kirby.

Sulmet e së premtes ndaj bazës ajrore kanë shtyrë administratën në Uashington të rishqyrtojë mundësinë e dërgimit të trupave tokësore kundër ISIS.

Ky opsion përforcohet kur bëhet fjalë për të rimarrë nën kontroll zonat urbane ku sulmet ajrore rrezikojnë të vrasin civilë të pafajshëm, raporton korrespondentja e BBC në Uashington.

Trupat amerikane që aktualisht ndodhen në bazën Ain al Asad po trajnojnë trupat irakene. Admirali Kirby tha se baza ishte sulmuar nga një grup atentatorësh vetëvrasës.

Tetë militantë mbetën të vrarë nga kundërpërgjigjia, ndërsa të tjerët u zmbrapsën nga trupat irakene të mbështetura nga ajri nga koalicioni ndërkombëtar.

Trupat amerikane atje janë pjesë e forcave të dërguara nga presidenti Obama për të këshilluar ushtrinë vendase në luftën kundër ISIS.

Top Channel