Paratë e bankës u grabitën “me një shuplakë”

14/02/2015 00:00

Një grabitje e llogaritur në mënyrë precize dhe që ka zgjatur vetëm tre minuta. Kjo është ajo çfarë tregojnë pamjet e kamerave të sigurisë mbi grabitjen e armatosur të premten, në një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet.

Kamera e sigurisë në ambientin e brendshëm shfaq transportimin e parave nën shoqërinë e efektivëve të eskortës. Kjo ndodh në orën 12:45. Brenda pak sekondash, nga brendësia e tunelit me armë në krah shfaqen grabitësit, të cilët kanë qenë duke pritur.

Njëri prej tyre mjaftohet dhe qëllon me shuplakë njërin nga policët e eskortës, pa hasur në rezistencë të dukshme. Kamera e dytë e sigurisë tregon se në më pak se tre sekonda, efektivët e sigurisë fizike ndeshen me tre grabitësit, për t’i lënë ata më pas që të largohen të qetë, bashkë me lekët.

Policia e Shtetit deklaron se ka arrestuar këta gjashtë efektivë për dyshimet se ata kanë shpërdoruar detyrën. Ata janë Isuf Gjici 55 vjeç, Artan Dervishi 43 vjeç, Dritan Duka 24 vjeç, Sajmir Nikoci 32 vjeç, Ilir Syla 45 vjeç, si dhe Tomorr Hidri 42 vjeç.

Megjithatë, nga këqyrja e kamerave të sigurisë vihet re një mospërputhje me oraret. Ndërsa kamera e brendshme tregon ngjarje, që zhvillohen përgjatë orës 12 të drekës, kamera e jashtme i shfaq ngjarjet të zhvillohen pas orës 13, qoftë kur efektivët e sigurisë rrinë në mjetin e blinduar, ende pa ndodhur grabitja, qoftë dhe kur grabitësit ndeshen me ta.

Jo zyrtarisht thuhet se janë grabitur gati 10 milionë lekë.

Top Channel