Në ankand diamanti i përsosur

14/02/2015 00:00

Është më i bardhë se e bardha. Me pak fjalë, i përsosur. Bëhet fjalë për diamantin që shtëpia “Sotheby’s” do të nxjerrë në ankand prillin e ardhshëm në Nju Jork, me një vlerë që fillon nga 19 dhe shkon deri në 25 milionë dollarë.

Guri i çmuar është një diamant mbi 100-karatërsh, i prerë si smerald, i shkallës D në vlerësimin e ngjyrës dhe me një pastërti të jashtëzakonshme si brenda ashtu edhe jashtë tij.

Sipas “Sotheby’s”, bëhet fjalë për llojin e parë të këtij diamanti të nxjerrë ndonjëherë në ankand. Guri është gjetur në minierat e diamantëve të Afrikës së Jugut dhe para se të pritej peshonte mbi 200 karatë. Pronari ka preferuar të mbetet anonim.

Në 25 vitet e fundit vetëm 5 diamantë “të përsosur” janë shitur në ankand. Rekordi është vendosur në vitin 2013, me një gur 118-karatësh me prerje ovale që po nga “Sotheby’s” u shit për më shumë se 30 milionë dollarë.

Top Channel