Rama në Vlorë e Fier, inspekton nga afër shpërndarjen e ndihmave

14/02/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama ka shkuar këtë të shtunë në zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit, për të ndjekur nga afër procesin e ndarjes së ndihmave për familjet e prekura.

Rama u ndal në magazinën e shpërndarjes së ndihmave në komunën e Novoselës, teksa nuk ngurroi t’u kujtojë qytetarëve se Qeveria nuk iku me shirat, por është aty për të konkretizuar tanimë fazën e tretë të ndarjes së ndihmave.

“Me daljen e diellit, ne nuk do të iknim së bashku me shiun, por do të vazhdojmë të jemi këtu për të plotësuar çdo nevojë”, deklaroi Rama.

Kjo fazë konsiston kryesisht me elektroshtëpiake për familjet e dëmtuara. Ndërsa per fshatrat e komunës se Novoselës do të shpërndahen 2000 krerë dele e 32 lopë. Ndërkohë, edhe fermerët e kultivuesit e vreshtarisë do të dëmshpërblehen.

“Në këtë fazë të dytë, zëvendësimi i të gjithë krerëve, saktësisht 2007 dele dhe 32 lopë, plus pemtarinë dhe nga ana tjetër mbështetje atyre që kanë humbur prodhimin së bashku me rimëkëmbjen e infrastrukturës së prodhimit që është asgjësuar, është pjesë e kësaj”, deklaroi Kryeministri.

Kryeministri Rama vizitoi edhe dy shtëpi në Novoselë që pësuan dëmtime nga përmbytja, të cilat po rindërtohen me kontributin e sipërmarrjes. Ndalesa e parë ishte në banesën e të moshuarës Dhora Gjonit, rasti i së cilës u transmetua javën e kaluar në emisionin Fiks Fare ku zonja Gjoni kërkoi ndihmë për riparimin e shtëpisë në gjendje thuajse të rrënuar.

Po ashtu, Kryeministri vizitoi edhe shtëpinë e një familje me persona me atësi të kufizuar. Pas rindërtimit, banesat do të pajisjen edhe me materialet elektroshtëpiake.

Si për të mbështetur deklaratat e bëra për realizimin dhe konkretzimin e fazës së dytë Kryeministri ishte më pas në Hoxharë të Fierit ku tre blegtorëve iu zëvendesua e gjithë gjeja e gjallë lopë dhe dele të humbura gjatë përmbytjeve. Rama ka treguar se nuk ka ndarje pavarësisht anës së tyre politike.

“Unë mësova që Ylli është i PD dhe Ruzhdiu i PS, për ne ata që janë dëmtuar nga përmbytjet janë shqiptarë, shqiptarë punëtorë që u qendrojmë dhe do u qendrojmë pranë deri në fund pa asnjë  dallim”, tha Rama para banorëve të Hoxharës.

Kryeministri tha se kjo mbështetje do të vazhdojë për t’i dhënë udhë njerëzve që punojnë e duan të jetojnë me punë të ndershme.

“Këto familje meritojnë respektin më të madh, mbështetjen dhe solidaritetin më të madh se janë familje që janë një shembull i madh për të gjithë Shqipërinë. Të rinjtë mos presin golin e Kristiano Ronaldos, por të ulin kokën dhe të punojnë. Kështu ndërtohet mirëqënie, pasuria dhe e ardhmja”, tha Rama. 

Top Channel