Filmat e preferuar të koreano-veriorëve

14/02/2015 00:00

Duke parë irritimin e Kim Jong un për filmin “The Interview”, gjithëkush mund të mendojë se koreano-veriorët i urrejnë filmat e Hollivudit. Por në të vërtetë është e kundërta.

Kim Jong il, babai i diktatorit aktual të vendit aziatik, adhuronte Elizabeth Taylor, ishte një fans i madh i “Godfather” dhe thuhet se ka parë të gjithë filmat që kanë fituar Oscar në historinë e kinemasë.

Edhe parardhësi i tij, Kim Il Sung, nga pasioni për kinemanë themeloi një studio kinematografike në Penian, ku prodhohen filma lokalë dhe madje mbahet edhe një festival për vlerësimin e tyre.

Me një leje të rrallë, gazetari i “Vanity Fair”, Pico Iyer ka vizituar studion në fjalë teksa zhvillohej festivali dhe ka pyetur vendasit nëse pëlqejnë filmat perëndimorë.

Duke pasur parasysh faktin se Korea e Veriut është vendi më i izoluar në botë, për Iyer ka qenë paksa e habitshme të dëgjonte nga qytetarët vlerësime për filmat amerikanë.

Sipas gazetarit, koreano-veriorët kanë pëlqyer shumë filmat me spiunazh si “Argo”, sagën “The Bourne Identity” dhe atë të James Bond, i preferuar nga Kim Jong Il, përveç episodit “Die another day”, për faktin se personazhi negativ është koreano-verior.

Një tjetër preferencë e liderit të ndjerë të Penianit ka qenë “The Sound of Music”, të cilin, siç thonë koreanët, ai e ka parë qindra herë.

Një tjetër preferencë janë filmat me temë Luftën e Dytë Botërore, ndërsa nuk ka munguar interesi edhe për bëmat e komikut Mr. Bean, por që në vitet e fundit ka ardhur në rënie.

Top Channel