Nju Jorku, 11 ditë pa vrasje, rekord në “mollën e madhe”

14/02/2015 00:00

11 ditë radhazi pa asnjë vrasje, për qytetin e Nju Jorkut janë një rekord pozitiv e i mirëpritur. Periudha më e gjatë pa krime të këtij lloji që prej vitit 1994 nuk i detyrohet megjithatë punës së lavdërueshme të forcave të rendit, por një faktori tjetër: të ftohtit.

Incidenti i fundit ishte ai i së djelës së parë të shkurtit, kur 20-vjeçari nga Harlemi, Shadale Graham u qëllua për vdekje me plumb në kokë gjatë një sherri të nisur pas Super Bowl-it në rrugën numër 137.

Që nga ai moment, CompStat, sistemi i kompjuterizuar për monitorimin e krimit, nuk shënon më asnjë vrasje.

Kryebashkiaku Bill de Blasio nxitoi t’ia vishte meritat punës së jashtëzakonshme të forcave të rendit, duke e përshkruar këtë rekord të ri si provën më të fundit të faktit që Nju Jorku është qyteti më i sigurt në Amerikë.

E vërteta ama është ndryshe. “New York Daily News” shkruan se të vetmit agjentë që meritojnë të lavdërohen për këtë situatë janë ngrica dhe bora.

I ftohti i skajshëm i këtyre ditëve, thotë gazeta, me temperaturën më të lartë që nuk shkon më shumë se minus 6 gradë Celsius, ka bërë që “të ngrijë” edhe krimi.

Në fakt, sipas autoriteteve, ky nuk është një rast i izoluar. Periudha pa vrasje për shkak të ngricave janë shënuar edhe në 2014-n dhe po ashtu në vitin parardhës.

Raporti mes klimës dhe krimit është konfirmuar edhe nga një studim si ai i shoqates së konsulencës me seli në Masaçusets, Abt Associates, që tregon se ngrohja globale do të sjellë shtimin me gati 3% të numrit të vrasjeve dhe përdhunimeve përgjatë dekadave në vijim.

Top Channel