Ukrainë, ashpërsohen luftimet në pritje të armëpushimit

14/02/2015 00:00

Luftime të ashpra po vazhdojnë në lindje të Ukrainës, kur kanë mbetur rreth 9 orë nga nisja e armëpushimit për të cilin u ra dakord në Minsk. Luftime të reja raportohen gjithashtu në qytetin-port të Mariupolit.

Ambasadori amerikan në Ukrainë postoi në rrjetet sociale foto satelitore që tregojnë praninë e artilierisë ruse në afërsi të Debaltsevit.

Geoffrey Pyatt shkroi gjithashtu në profilin e tij se njësitë ruse përgjatë kufirit po përgatisnin një ngarkesë të madhe furnizimi për luftëtarët separatistë.

Ai tha se rebelët tani janë më mirë të armatosur sesa ushtritë e disa vendeve anëtare të NATO-s.

Ndërkohë, një shef policie deklaroi se qyteti strategjik Debaltsev po përjeton një bombardim të dhunshëm nga rebelët pro-rusë.

“Militantët po e shkatërrojnë Debaltsevin”, deklaroi ndërkohë kreu i policisë rajonale të Donetskut, Vyacheslav Abroskin për një portal lokal.

“Bombardimi i zonave të banuara dhe ndërtesave civile vazhdon. Qyteti është në flakë. Edhe stacioni i policisë është qëlluar me raketa”, shtoi zyrtari i policisë.

Ndërsa në Mariupol, raportimet sugjerojnë se rebelët pro-rusë po përdorin artilieri dhe tanke për të sulmuar fshatrat aty pranë.

Qyteti-port shtrihet mes zonave lindore të kontrolluara nga rebelët dhe gadishulli jugor i Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi marsin e kaluar.

Zv.ministri ukrainas i mbrojtjes, Petro Mekhed deklaroi se rebelët duan të ngrenë flamurin e tyre në Debaltsev dhe Mariupol përpara se armëpushimi të hyjë në fuqi.

Top Channel