Thaçi: Paktet me Serbinë s’e dëmtojnë Kosovën

14/02/2015 00:00

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vlerëson se marrëveshja e fundit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për sistemin e drejtësisë në veri të vendit është në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Sipas Thaçit, pjesa veriore e Kosovës tabu është krejtësisht nën juridiksionin e shtetit kosovar dhe pas dy zgjedhjeve ajo pjesë ka të zgjedhurit e saj legjitimë.

“Frika nga marrëveshjet e arritura deri tani nuk u materializua dhe e njëjta situatë do të konfirmohet edhe me marrëveshjen e fundit për gjykatat”, ka thënë Thaçi në një intervistë për portalin Lajmi.net.

Kryediplomati kosovar ka folur edhe për emigrimin masiv të qytetarëve. Sipas tij, qeveria e ka marrë me seriozitet maksimal këtë çështje, por shqetësimi kryesor i saj është frika nga manipulimi i qytetarëve nga trafikantët e qënieve njerëzore, që sipas tij janë edhe inkurajuesit kryesorë të këtyre lëvizjeve.

“Trafikantët, të cilët janë përfituesit e vetëm nga kjo dukuri, po përhapin dezinformata se qytetarët e Kosovës do të përfitojnë strehim dhe asistencë, por edhe leje qëndrimi në vendet e BE-së, edhe pse të gjitha vendet e BE-së e kanë thënë qartë se për qytetarët e Kosovës nuk ka më azil”, ka thënë Thaçi.

Duke folur për prioritet e qeverisë në të ardhmen, lideri i PDK-së ka përmendur reformën e sistemit zgjedhor si një temë për të cilën duhet të punojnë gjitha partitë.

Ai ka preferuar që zgjedhjet e ardhshme të mbahen me lista të mbyllura, pasi sipas tij, kjo do të krijonte më pak hapësirë për manipulim.

Top Channel