Ndryshon ligji për zonat ekonomike, përjashtim nga taksat për 5 vjet

14/02/2015 00:00

I nisur para disa vitesh, si një projekt që do të nxiste investimet dhe
aktivitetin ekonomik në vend, ndërtimi i një rrjeti zonash ekonomike
mbeti thjesht në letër.

Në vitet 2008-2009, ish qeveria e djathtë miratoi 9 zona ekonomike, prej të cilave 8 parqe industriale dhe një zonë të lirë. Por për një sërë problemesh, nga pronësia mbi tokën e deri tek mosndërtimi i infrastrukturës, asnjëra prej tyre nuk arriti të ndërtohej.

Qeveria e re duket se i është rikthyer sërish projektit. Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi një projekligj, i cili rrit lehtësitë fiskale në zonat ekonomike. Sipas draftit, në rastin e zonave të lira, të cilat ndërtohen nga privatët, bizneset ndërtuese por edhe ato kompani që do e zhvendosin aktivitetin aty do të përjashtohen 5 vjet nga pagesa e tatim fitimit.

Në të njëjtën kohë për 5-vjeçarin e dytë, masa e tatim-fitimit që do të paguajnë do të jetë vetëm sa 50 për qind e normës ligjore. Paralelisht çdo mall jo shqiptar që tregtohet apo përpunohet në këto ambiente do të jetë i përjashtuar nga tvsh dhe taksat e tjera indirekte.

Kategoria e dytë, ajo e zonave zhvillimore të biznesit, dikur të njohura si parqe industriale, nuk do t’i ketë këto lehtësira. Kjo pasi zonat zhvillimore të biznesit, ndryshe nga zonat e lira, ndëertohen nga vetë shteti me paratë e buxhetit. Por për këtë kategori do të ketë të tjera lehtësira, si ajo e përjashtimit të TVSH-së për lëndët e para, heqja e taksës së infrastrukturës, por edhe ajo e pasurive të paluajtshme për 5 vitet e para.

Shqipëria mbetet një nga vendet e pakta në rajon, që nuk ka zona të privilegjuara biznesi. Vendet përreth si kroacia, Maqedonia, Turqia dhe sllovenia kanë disa prej tyre. Lehtësirat fiskale në ligjin e ri, janë një nxitje. Por përvoja e parë tregoi se shkaqet kryesore se pse projekti për ngritjen e tyre dështoi, ishin të tjera. Si problemet me pronësinë e tokës dhe pamundësia financiare ose mungesa e vullnetit të qeverisë për të ndërtuar infrastrukturën e tyre. Nëse këto probleme nuk marrin zgjidhje, atëherë edhe lehtësirat fiskale të ligjit të ri, me gjasa do të mbeten në letër.  
 

Top Channel