Dron për të zbuluar historinë e Amazonës

14/02/2015 00:00

Përveç botës së pasur të faunës dhe florës shkencëtarët besojnë se Amazona fsheh në thellësi edhe gjurmë të një jete prehistorike.

Pyjet e dendura e bëjnë të pamundur kontrollin nga toka, ndaj për këtë shkencëtarët kanë menduar të skanojnë të gjithë pyllin nga ajri.

Projekti i prezantuar në takimin e përvitshëm të “American Association for the Advancment of  Science” në San Jose të Shteteve të Bashkuara parashikon përdorimin e një teknologjie të lartë për të zbuluar vendbanime të hershme të mundshme.

Për këtë do të përdoret një drone që do të skanojë të gjithë pyjet e dendura. Për shkak të vështirësisë, hapësirës së madhe dhe teknologjisë së përdorur, projekti konsiderohet i shtrenjtë, por pavarësisht kësaj ka gjetur mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, që ka dhënë nëpërmjet Këshillit Shkencor 1.7 milion euro, Shteteve të Bashkuara dhe vetë qeverisë braziliane.

Deri më tani janë zbuluar mbi 450 zona që shkencëtarët i quajnë gjeoglife e që janë gjurmë të ekzistencës së vendbanimeve në këto pjesë.

Studimi do të përqendrohet në gjetjen e vendbanimeve të asaj që njihet si epoka prekolumbiane, ose 3 mijë vitet e fundit para mbërritjes së europianëve në Amerikën Latine.

Top Channel