Reforma në drejtësi, avokatët: Jo gjyqtar nën 30 vjeç. Gjykatë llogarie për KLD-në

14/02/2015 00:00

Mes zërave se ku duhet të përqendrohet reforma në drejtësi, avokatët si grup interesi në këtë proces këshillojnë që të ndalohet me ligj dalja gjyqtar pa mbushur moshën 30 vjeç.

“Ajo që ne do të kërkonim, një nga ndryshimet e Kushtetutës duhet të jetë një moshë e caktuar e gjyqtarit, pas mbarimit të shkollës ose specializimit, pasi të dalë një gjyqtar në moshën 25 vjeç ose 26 vjeç, ndërkohë që është beqar, s’di ç’është martesa e do të zgjidhë martesën, ose s’ka famijë, nuk di të gjykojë të miturin”, deklaroi Sajmir Visha, Kryetar i Shoqatës së Avokatëve Penalistë.

Sipas avokatëve reforma duhet të prekë edhe mënyrën se si gjyqtarët ngjiten në Gjykatën e Lartë.

“Kërkojmë që gjykatësit e lartë, ose gjykatësit që janë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, të kenë të gjithë një shumicë të cilësuar, jo vetëm që të jenë nga radhët e gjyqtarëve që të përfaqësojnë denjësisht dinjitetin e drejtësisë, por edhe politika të jetë më e mirëkomanduar me shumicë të cilësuar, mos emërojë në sistemin e drejtësisë gjyqtarë politikë”, shtoi avokati Visha.

Nga ana tjetër avokatët duket se pajtohen me rekomandimet e Euralius për të patur një gjykatë llogarie mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

“Mund të shikohet mundësia e krijimit të një gjykate të llogarisë, institucione që e kanë edhe vende të tjera si një organ kolegjial me vendime të detyrueshme. Kjo mendoj edhe unë, edhe shumë të tjerë është një nga elementët që do të forconte shumë luftën kundër korrupsionit”, thotë avokatja Fatmira Laska.

Top Channel