45 minuta tmerr në ajër, breshëri dëmton avionin

14/02/2015 00:00

Nuk ka qenë një përplasje e as goditja me sende të forta arsyeja e një dëmtimi  të xhamit të kabinës së pilotit dhe të gjithë pjesës së përparme të Airbusit A321 të nisur nga Rio de Janeiro drejt Natalit, kryeqendrës së Rio Grandes në Brazil.

Edhe pse e vështirë për t’u besuar, deformimi dhe dëmtimi i rëndë i aparaturave në bordin e avionit të kompanisë ajrore Tam i detyrohet 45 minutave të kaluara në mesin e një stuhie të dhunshme, rrufeve, e mbi të gjitha breshërit.

Për pasagjerët në bord ky ishte një udhëtim tmerri: në pamundësi për të vazhduar fluturimin, pilotët janë shtrënguar ta kthejnë avionin mbrapsht, edhe kjo me shumë vështirësi. Fotografitë e publikuara në rrjetin social Tëitter tregojnë se si pjesa e parme e avionit është shtypur krejtësisht, ndërsa xhami i kabinës së pilotit, duket sikur është qëlluar me çekiç.

Shikueshmëria për pilotët ka qenë pothuajse zero. Avioni ishte ngritur nga Rio drejt Natalit me një ndalesë të parashikuar në Fortaleza. Por nuk arriti të shkojë shumë larg. Pak pas ngritjes në ajër ai është goditur nga rrufe e pas tyre nga një breshër i fuqishëm. Rezultati ishin turbulenca të forta dhe humbje e presionit.

Pilotët nuk ka pasur rrugë tjetër veçse të bëjnë një ulje të detyruar në aeroportin Rio Galeao. Ishin 45 minuta llahtari, rrëfeu për mediat lokale pasagjerja, Rosangela Linhares. Më e keqja, siç sqaroi ajo, ishte se ekuipazhi nuk ka dhënë asnjë informacion mbi atë që po ndodhte dhe vetëm pasi avioni preku tokën e të gjithë morën fryme të lehtësuar iu tha për stuhine.

Ata dy pilotët janë dy heronj të vërtetë, u shpreh një tjetër pasagjer. Incidenti nuk shkaktoi asnjë të lënduar, e pohuar kjo nga vetë kompania ajrore që tani duhet të përcaktoje nivelin e dëmeve dhe të kostos së riparimit të avionit.

Top Channel