Dështon ofensiva e ISIS në bazën amerikane

14/02/2015 00:00

Deri tani kanë përparuar mjaft në disa pjesë të Irakut, por me sulmin ndaj bazës ushtarake amerikane në provincën e Anbarit, militantët e ISIS-t nuk shënuan gjë tjetër veçse një dështim.

Duke cituar zyrtarë vendas të sigurisë, Zëri i Amerikës thotë se grupi ekstremist sulmoi bazën ajrore Ain al Assad, të ndodhur 35 kilometra në veriperëndim të Ramadit, por nuk arriti të hynte brenda saj. 300 trupa amerikane qëndrojne aktualisht në këtë bazeëme misionin të stërvisin forcat irakiane.

Prej disa javësh ajo ka qenë e rrethuar nga luftëtarët e ISIS, e nga sa raportojnë mediat lokale, fillimisht është goditur me katjusha dhe më pas është mësyrë edhe nga disa kamikazë. Sipas një zyrtari irakian 8 persona me mision sulmet vetvrasëse janë eliminuar që përpara se të hynin në perimetrin e bazës.

Luftimet e ashpra të zhvilluara në qytetin e al-Bagdatit, vetëm 15 kilometra larg bazës në fjalë i konfirmoi edhe anëtari i Këshillit Rajonal të Anbarit, Raed Amash. Sipas tij, militantët u përpoqën të hynin në qytet përmes lumit, arritën të merrnin nën kontroll një sërë ndërtesash, por ndeshën në rezistencë nga banorët vendas dhe u detyruan të tërhiqen.

Mediat arabe dhe irakiane njoftojnë për dhjetëra të vrarë nga radhët e ISIS e flasin për trupa të pajetë militantësh të shpërndarë në rrugët e qytetit. Ekspertët mendojnë se në betejën e tyre kundër bazës Ain al Assad xhihadistët janë ndihmuar edhe nga ish-oficerë të ushtrisë së Sadam Huseinit.

Top Channel