Danimarkë, sulm ndaj karikaturistit suedez

14/02/2015 00:00

Një person ka gjetur vdekjen dhe tre policë janë plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri të regjistruara në një ambient publik në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagen.

Të shtënat ndodhën në një ambient ku po mbante një seminar për lirinë e shprehjes karikaturisti suedez, Lars Vilks.

Mediat daneze thonë se në drejtim të ambientit ku po zhvillohej takimi, ku pjesëmarrës ishte edhe ambasadori francez në Danimarkë, është qëlluar të paktën 40 herë.

Pak pas sulmit, ambasadori francez në Danimarikë publikoi në llogarinë e tij në rrjetin social Tëitter një mesazh ku njoftonte se ishte gjallë dhe i palënduar nga sulmi.

Autori mundi të largohej dhe policia daneze ka nisur një operacion të gjërë për kapjen e tij.

Policia ka bllokuar një zonë të gjerë përreth vendit ku ndodhi sulmi dhe sipas raportimeve dyshohet se autori fshihet në një park aty afër.

Besohet se shënjestër e sulmit ka qenë karikaturisti suedez, Lars Vilks që ka shpëtuar i palënduar. Ai është kërcënuar disa herë në të shkuarën për disa karikatura të Profetit Muhamed.

Top Channel