Solidaritet nga ish të përmbyturit, Dajçi ndihmon Ferrasin

14/02/2015 00:00

Banorët e Dajçit të Shkodrës e dinë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë përmbytje, dhe për këtë arsye ata janë bërë bashkë për t’u ardhur në ndihmë disa prej familjeve më të prekura në Ferras të Fierit.

Kjo është hera e parë që solidariteti njerëzor shfaqet në këtë formë, disa familje ish të përmbytura që ndihmojnë me çfarë u ndodhet disa famije të tjera të përmbutura.

Merita për këtë nismë dhe konkretizimin e saj i takon priftit katolik të Famullisë së Dajçit, Don Marian  Gegës, i cili ia arriti që pas disa ditëve fushatë dhe organizimi në fshatin Dajç të sjellë ndihmat në Ferras dhe t’i shpërndajë ato nëpërmjet të rinjve vullnetarë të fshatit Dajç.

“Kemi qenë për tre vite rresht të përmbytur dhe kemi patur këtë plagë njësoj sikurse këta që shohim që janë përmbytur. Apelit të kishës i janë përgjigjur të gjithë, jo vetëm të krishterë, në mënyrë masive dhe bëmë të mundur që të mbledhim këto, janë rreth 24.5 ton ushqime për kafshët dhe familjet. E dimë nga përvoja jonë që është e pamundur që të plotësojmë të gjitha nevojat e të përmbyturve”, thotë Don Marjan Gega.

Secila familje në Ferras, që ishte në listën e atyre që përfitonin nga kjo ndihmë e ish familjeve të përmbytura të Dajçit në Shkodër u furnizuan me nga 2 pako familjare dhe 600 kg misër.

Premtimi i Don Marianit është se do të bëjë përpjekje të tjera për t’u rikthyer në ndihmë të zonave të përmbytura.

Top Channel