Përshkallëzohet përplasja Presidencë-Qeveri për kandidaturën e Visar Zhitit

14/02/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani iu përgjigj po nëpërmjet Facebook-ut deklaratës së Kryeministrit Edi Rama se po e ridënon Visar Zhitin me mosdekretimin e tij për Ambasador në Vatikan.

Në deklaratën e tij, kreu i shtetit hedh akuza të forta kur thotë se Visar Zhiti është viktimë e shpifjeve të shëmbëlltyrave të sigurimit, që sipas tij, sot ndikojnë në vendimarrje.

“Kryeministri nuk lë rast pa dëshmuar se preferon shoun, ekzibicionin, gjestet, pra kollajllëkun shumë më tepër se thellësinë, seriozitetin, punët. Kryeministri nuk e di, ose bën sikur nuk e di se Visar Zhiti nuk është nga poetët ‘e rrallë’ të burgosur të diktaturës, por njëri prej tyre. Vetë Visar Zhitit i vjen turp nga cilësimi ‘i rrallë’. Po, Visar Zhiti nuk ka shpifur për askënd. Për Visar Zhitin kanë shpifur pafund shëmbëlltyrat e barrikadës sigurimiste që ndikojnë sot vendimarrjen”, shkruan Presidenti.

Duke dalë në krah të Zhitit, Presidenti i qendron vendimit për të mos e dekretuar atë duke përmendur atë që ai e quan kusht ligjor procedurial; konsultimin paraprak me Presidentin e Republikës.

“Visar Zhiti është i propozuar prej Kryeministrit për Ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor procedurial, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur; Konsultimin paraprak me Presidentin e Republikës”, thotë Nishani.

“Argumentat nuk numërohen, argumentat peshohen”, thotë një fjalë latine e pakontestuar nga kurrkush deri më sot. Kryeministri ynë fatkeqësisht këtë pohim nuk e respekton”, mbyllet reagimi i Presidentit.

Top Channel