Varfëria dhe humbja e besimit tek institucionet, arsyet e emigrimit të kosovarëve

15/02/2015 00:00

Kushtet e rënda ekonomike dhe humbja e besimit në institucionet shtetërore janë arsyet kryesore të emigrimit të kosovarëve në vendet e Bashkimit Evropian.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka prezantuar rezultatet e dala nga një hulumtim i bërë gjatë vitit 2014, mbi faktorët që ndikojnë në emigrimin e kosovarëve.

Njëri ndër treguesit më të rëndësishëm të emigrimit, sipas raportit të prezantuar, mbetet padyshim të ardhurat mujore, pasi personat që kanë të ardhura deri në 200 euro në muaj kanë gatishmëri dukshëm më të lartë për të emigruar, se ata me të ardhura 200 deri në 400 euro.

“Sipas rezultateve të anketës së vitit 2014, përqindja e individëve, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të migruar në njërin nga vendet e BE-së, ka shënuar një rritje prej 26%, në krahasim me vitin 2012, përkatësisht është rritur nga 34% në 43%. Kështu që ikjet masive, të cilat ne i kemi parë kohëve të fundit, tregojnë se Kosova po eksporton pasuri dhe ky proces do të jetë varfërues për ne. Duhet theksuar se ky emigrim nuk është si rezultat i kushteve apo faktorëve ekonomik, por ne mendojmë se është motivuar njëkohësisht nga mosbesimi i qytetarëve karshi çështjeve politike dhe pakënaqësisë së tyre me sistemin në tërësi në Kosovë”, tha Arbëresha Loxha, nga GSJP.

Ky raport i prezantuar nuk përmbledh të dhënat e dy muajve të fundit, kur numri i kosovarëve që kanë emigruar është dukshëm më i madh se gjatë viteve të kaluara.

Pas prezantimit të raportit, Delfinë Elshani paraqiti edhe disa rekomandime, që duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të ndikuar në uljen e numrit të azilkërkuesve kosovarë. Sipas saj, shteti duhet të ndërmarrë edhe masa në edukimin profesional, pasi grupmosha e qytetarëve që po largohen më së shumti është mes 25 dhe 34 vjeç.

“Rekomandohet të shfrytëzohen më mirë mundësitë për punësim sezonal. Pra, Qeveria duhet të përmirësojë dhe zgjerojë marrëdhëniet me vendet e BE-së, të cilët kanë nevojë për fuqi punëtore me kualifikime të ulëta dhe të mesme. Ndaj, Ministria e Arsimit duhet të fokusohet në ofrimin e shkollimit profesional afatshkurtër, me anë të së cilës adreson kërkesat e shteteve të BE-së, me të cilat Kosova ka ose do të nënshkruajë marrëveshje për punësim sezonal”, tha Delfinë Elshani, GSJP.

Sipas raportit të monitorimit të emigrimit për vitin 2014, rajonet me përqindjen më të lartë të qytetarëve, që kanë gatishmëri për të emigruar, janë Peja dhe Prishtina.

Top Channel