Incidenti në Munellë, PD: Qeveria hesht, sepse i ka braktisur minatorët

15/02/2015 00:00

Pas incidentit të radhës në minierat shqiptare, ku si pasojë e shembjes së një masivi dheu në galeritë e minierës së Munellës, në Pukë, humbi jetën një punëtor i saj, ka reaguar kreu i opozitës, Lulzim Basha.

Duke e quajtur si një tragjedi njerëzore, kryetari i Partisë Demokratike ka gjetur rastin që nëpërmjet një deklarate t’i shprehë ngushëllimet familjes Ndreca, për dhimbjen e madhe të ndarjes nga jeta të kryefamiljarit Gjovalin Mark Ndreca, baba i dy fëmijëve, nga fshati Kimez i Gjegjanit.

Megjithatë, Basha nuk ka lënë pa theksuar atë që e konsideron indiferencë qeveritare ndaj minierave shqiptare. “Asnjë fjalë nga kryeministri dhe manarët e tij. Heshtje dhe indiferencë që vret. Jetët e minatorëve nuk kanë asnjë vlerë. Deri dje hidhnin lotë krokodili për çdo aksident miniere dhe betoheshin se do rrisnin sigurinë, por kur erdhen në pushtet i braktisën edhe minatorët, si shumë njerëz të punës”.

Kreu i PD shton më pas se në një vit e gjsmë ka pasur më shumë viktima se asnjëherë më parë në minierat shqiptare, që – sipas tij – vjen nga braktisja që Qeveria u ka bërë minatorëve, pasi “ajo e ka hallin dhe mendjen vetëm te vetja”.

Top Channel