Reagon MEI: Deklarata e Bashës, spekulim. PD nuk lë vdekje pa politizuar

15/02/2015 00:00

Menjëherë pas deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Facebook, mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në minierën e Munellës në Pukë, ku humbi jetën një minator si pasojë e shembjes së një masivi, ka reaguar edhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

Kjo ministri shpreh “keqardhjen për deklaratat e nxituara të Bashës, pa pritur të zhvillohen hetimet për ngjarjen e Munellës”. Më tej, MEI sqaron se “shumë shpejt RISHM do të publikojë rezultatet e hetimit dhe menjëherë pas tyre do të merren masat përkatëse”.

Por, duke iu referuar sërish asaj që kreu i opozitës e konsideroi si indiferencë të Qeverisë për humbjen e një jete, MEI shton se ky reagim nuk është gjë tjetër veçse “gjetje rasti për të spekuluar dhe për të përdorur politikisht çdo vdekje” në një kohë kur s’kanë mbaruar ende hetimet.

Në fund, MEI bën të ditur se ligji i ri që po hartohet nga Qeveria do të zgjidhë përfundimisht plagën e mbivendosjes së lejeve minerare.

Top Channel