Vjedhje në 9 kamionë të tragetit të linjës Bari-Durrës, nisin hetimet

15/02/2015 00:00

Një vjedhje ka ndodhur në disa prej kamionëve të imbarkuar në tragetin “AF Francesca” të linjës Bari-Durrës.

Kur trageti po ankorohej në port, drejtuesit e kamionëve kanë konstatuar hapjen dhe vjedhjen e kryer në kabinat e tyre, e mënjehërë kanë vënë në dijeni personelin e tragetit. Me të marrë dijeni, policia ka kryer veprimet e para proceduriale dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve.

Burime nga policia lokale bënë të ditur se është konstatuar hapja e kabinave të 9 kamionëve, ku janë vjedhur aparate celularë, si dhe sende të tjera me vlerë për drejtuesit e mjeteve.

Nga hetimet e para rezulton se autorët kanë qëndruar gjatë të gjithë lundrimit në vendqëndrimin e mjeteve, për të realizuar qëllimin e tyre kriminal. Hetimet janë përqëndruar kryesisht në listën e personave që janë imbarkuar në traget me automjete, ndërsa ngjarja ka shkaktuar vonesa në përpunimin e pasagjerëve dhe mjeteve të këtij trageti.

Top Channel