Gjirokastër, ndalohen 40 klandestinë nga Eritrea dhe Siria. Nisin procedurat e riatdhesimit

15/02/2015 00:00

Policia kufitare e Gjirokastrës ka mundur të ndalojë 40 shtetas, që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në tokën shqiptare nga kufiri i gjelbër me Greqinë, gjatë orëve të para të së dielës.

Ndalimi i klandestinëve, që raportohen të jenë nga vendet e treta, është bërë i mundur në kuadër të operacionit “Mjegulla”, ndërkohë që sipas burimeve të policisë janë ndaluar 25 persona nga Eritrea e 15 nga Siria.

Policia kufitare është duke kryer të gjitha procedurat e nevojshme për riatdhesimin e tyre. Ende nuk është bërë e ditur se cili ishte destinacioni i klandestinëve, por një numër gjithnjë e më i madh njerëzish janë duke u larguar në mënyra të ndryshme, përfshi rrugët e paligjshme, për t’iu larguar zonave të nxehta të konflikteve në Lindjen e Mesme, e për t’u strehuar në ndonjë vend europian.

Top Channel