Përplasja Presidencë-Mazhorancë, Balla: Nishani futi gjuhën e urrejtjes

15/02/2015 00:00

Vijojnë shkëmbimet e replikave në distancë mes Presidentit dhe mazhorancës për propozimin e Kryeministrit të Visar Zhitit si kandidat për Ambasador në Vatikan.

Nga radhët e kësaj të fundit, pas Kryeministrit Edi Rama është nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla që i përgjjigjet reagimit të kreut të shtetit.

“Përkundër nga sa pritej, Presidenti refuzoi emrin e Visar Zhitit dhe u hodh në një sulm të paprinciptë ndaj Kryeministrit, duke aluduar edhe për sigurimsa në këtë vendimarrje!”thotë Balla.

Duke e quajtur të turpshëm këtë reagim të Presidentit, Balla thotë më tej se Bujar Nishani kapërceu çdo limit kur e quajti emrin e Visar Zhitit një provokim.

“Po pse dreqin u provokua ky President, që futi gjuhën e rrugës në Presidencë?! Asnjë President deri me sot, as vetë Saliu nuk ka folur siç po flet Nishani me një fjalor prej karrocieri me faqoren e rakisë në dorë”, deklaron Taualant Balla, duke ngritur pyetjen: Çfarë përfiton mazhoranca nga ajo që Presidenti e quan provokim?

“Andej duhet t’i bindet Saliut dhe duhet t’i bashkohet fushatës së tritolit duke hedhur në erë ambasadorët për të ndihmuar në klimën e konfliktit artificial. Këndej duhet të ndryshojë edhe look-un, që ta harrojnë se kush ka qenë në fakt ky ushtar i Saliut, që mbronte me trup bustin e Enverit në demostratat pro-enveriste në Shkollën Bashkuar. Kujt i duhet më shumë se kaq për ta parë Bujarin ashtu siç është, nishani i Saliut mbi Visar Zhitin?! Kjo është edhe më keq se ridënim! Kjo është pengmarrje e Visarit për llogari të Saliut nga ushtari i tij Bujar Nishani!”, mbyll reagimin deputeti Socialist.

Reagimi i partisë më të madhe në pushtet vjen pas atij të Presidentit të Republikes, si rrallëherë bërë në profilin e tij në Facebook.  Këtë herë presidenti nuk ka i ka ripërmendur disa argumenta që dha pak ditë më parë në media kundër Visar Zhitit, kur tha se Vatikani mund të keqkuptohet nga deklarimet e Zhitit, por i është rikthyer vetëm aspektit procedurial, ku thotë se qeveria nuk e konsultoi emrin e Visar Zhitit me të.

Top Channel