Reagon OSHEE: Po verifikojmë faturat dhe ankesat e çdo abonenti

15/02/2015 00:00

Pas akuzave të Partisë Demokratike reagoi OSHEE, e cila deklaroi se kompania është vënë në lëvizje që prej 24 Janarit, pas denoncimeve të banorëve të lagjeve Nr.2 dhe 3 në Laç.

“Më datën 27 Janar, Departamenti i Shitjeve dhe Arkëtimeve ka ngritur grupin e posaçëm të verifikimit në terren. Objekt i kontrollit ishin 32 kabina, të cilat furnizojnë konsumatorët e këtyre lagjeve. Nga verifikimi i të dhënave për 732 familjare, rezultoi se 592 prej tyre janë nënfaturuar dhe 140 janë mbifaturuar. Me 6 shkurt, me përmbylljen e fazës së kontrollit u mor vendimi për shkarkimin e drejtuesit të agjencisë së OSHEE-së Kurbin; ulja në detyrë e shefit të degës së shitjes dhe largimi nga detyra i 6 lexuesve që mbulonin lagjet ne fjale”, thuhet ne deklaratën e OSHEE.

Kompania thotë se siguron opinionin publik “se verifikimi i ankesave dhe ushtrimi i kontrolleve në terren është një proces që kryhet në vazhdimësi. Kompania është e vendosur të reformojë sistemin e shpërndarjes, jo vetëm në infrastrukturë, duke kryer investime, por edhe sa i takon burimeve njerëzore, duke ndëshkuar çdo nëpunës që kryen abuzim ndaj konsumatorëve”, mbyllet deklarata e OSHEE.

Top Channel