Presidenti serb nderon gjeneralin Lubisha Dikoviç, nisin protestat

16/02/2015 00:00

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka nderuar me Urdhër të Lartë shefin e ushtrisë serbe, gjeneralin Lubisha Dikoviç. Në ditën e shtetit serb, përkundër kritikave, Nikoliç, i cili ka thënë se beson që Dikoviç është njeri i ndershëm, e ka bërë këtë veprim.

Në të njëjtën kohë kur po mbahej ceremonia solemne, Nisma e Të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka organizuar protestë, pasi Fondi për të Drejtën Humanitare disa herë ka tërhequr vëmendjen se Dikoviç dyshohet si pjesëmarrës në krime në Kosovë, me të cilën lidhet edhe varreza masive e Rudnicës në Rashkë, ku u gjetën dhjetëra mbetje mortore të shqiptarëve të Kosovës.

Aktivistët kanë kërkuar hetim.

Marijana Toma e Fondit për të Drejtën Humanitare shprehet: “Fondi për të Drejtën Humanitare para dy javësh ka bërë publike një numër dokumentash nga policia dhe ushtria të cilat na bëjnë të dyshojmë se brigada e atëhershme e Lubisha Dikoviçit është përgjegjëse për kryerjen e krimeve në katër fshatra shqiptare. Presidenca dhe qeveria duhet të tregonin më shumë ndjenja për këtë. Por, mbështetja që i ka ardhur Dikoviçit është presion në Prokurorinë për Krime Lufte.”

Ndërsa Anita Mitiç e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut thotë: “Ky është një mesazh i turpshëm për të gjithë ne. Presidenti ka treguar se neve nuk na intereson çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitet ‘98-‘99, por as në ish-Jugosllavi gjatë viteve ‘90. Duan të thonë se na intereson vetëm e sotmja, por pa të kaluarën nuk mund të shkojmë askund.”
 
Në këtë protestë ka marrë pjesë edhe deputeti dhe ish-kryeministri demokrat i Serbisë, Zoran Zivkoviç, i cili e ka vlerësuar këtë veprim si të turpshëm: “Aleksandar Vuçiç dhe Tomisllav Nikoliç kanë treguar se demokracinë nuk e kanë në zemër dhe andaj kjo është arsyeja e kësaj proteste këtu.”

Prokuroria ka paralajmëruar hetime, megjithatë ajo është kritikuar nga presidenti serb.

Top Channel