Bushati: Emërimi i ambasadorëve i takon Qeverisë

16/02/2015 00:00

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i pyetur nga gazetarët lidhur me
përplasjen e ditëve të fundit mes institucionit të ekzekutivit dhe atij
të Presidentit, për propozimin e kandidaturës së Visar Zhitit, si
ambasador i Shqipërisë në Vatikan, deklaroi se emërimi i diplomatëve
shqiptarë në vendet e huaja është një proces që ligjvënësi ia ka
ngarkuar vetëm Qeverisë.

“Janë thënë shumë arsye për moscaktimin e zotit Zhiti si ambasador i yni në Vatikan, por është e qartë që emërimi i ambasadorëve është një proces që i takon Qeverisë. Ne do të vazhdojmë të ruajmë komunikimin dhe etikën institucionale. Emërimi i zotit Zhiti në Vatikan është bërë pas një konsultimi me Selinë e Shenjtë”, sqaroi Bushati.

Këto deklarata të Bushatit, u dhanë gjatë një konference për media që ministri ynë i Jashtëm pati me homologen e tij kroate Vesna Pusiç, e cila ndodhet për vizitë në Tiranë.

“Falenderojmë Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për Shqipërinë, kryesisht ndihmat e dhëna së fundmi për zonat e përmbytura  nga moti i keq”, tha Bushati.

Po ashtu, ministri vlerësoi edhe diskutimet e bëra me Pusiç, për projektet në interes të përbashkët.

Nga ana e saj, Pusiç theksoi se mes Kroacisë dhe Shqipërisë duhet të rritet bashkëpunimi për të ardhmen.

Top Channel