Programi i ndihmës për Greqinë, Tsipras kërkon marrëveshje

16/02/2015 00:00

Programi i deritanishëm i ndihmave për Greqinë përfundon në 28 shkurt dhe nëse gjatë takimit të sotëm urgjent në Bruksel vendet e Eurozonës dhe qeveria e re greke nuk bien dakord, shtetin helen e pret falimentimi.

Aleksis Tspiras ka shprehur besimin se Athina do të mund të sigurojë një marrëveshje, por brenda kufijve përballet me kritika se po e zbut qëndrimin e tij kundër masave anti-krizë.

“Unë ju premtoj: Greqia do të jetë për gjashtë muaj një vend krejtësisht i ndryshëm”, deklaroi shefi i ekzekutivit grek një ditë më parë, duke u përpjekur të sqaronte se nuk kërkon kredi të mëtejshme, por një situatë nga e cila të dalin të gjithë me fitim.

“Dua ta shpëtoj Greqinë nga tragjedia dhe ta ruaj Europën prej përçarjes”, tha Tsipras. Me pak fjalë, mesazhi që ai u përpoq të dërgonte përpara takimit të Brukselit ishte ky: Greqia nuk ka nevojë për para, por për kohë, në mënyrë që të realizojë reformat e saj.

Koha megjithatë nuk premton. Fundi i shkurtit është afati i përfundimit të programit aktual të ndihmës dhe zgjidhja duhet gjetur sa më shpejt. Ministri grek i financave Yanis Varoufakis deklaroi gjatë fundjavës se kompromisi mes Athinës dhe vendeve të Eurozonës do të gjendet, qoftë edhe në momentin e fundit.

Megjithatë, Tsiprasit nuk do t’i duhet vetëm të bindë Brukselin se Athina e mbytur në borxhe do t’i qëndrojë rrugës së saj të reformave. Kryeministri grek gjithashtu duhet të sigurojë militantët e vet ekstremistë të majtë se vijat e tyre të kuqe nuk do të kapërcehen në asnjë marrëveshje. Kjo u pa qartë nga qëndrimi një ditë më parë i ministrit të Energjisë, Panagiotis Lafazanis, përfaqësues i krahut radikal të Syrizës, i cili tha se po të këmbëngulin huadhënësit ndërkombëtarë në zgjatjen e programit aktual për Greqinë, atëherë nuk ka për të pasur kurrë kompromis.

Top Channel