Inspektoriati i minerave, proçedim penal për rastin e Munellës

16/02/2015 00:00

Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave ka përfunduar raportin mbi aksidentin e ndodhur në minierën e Munellës, ku humbi jetën minatori Gjovalin Prenga.

Në këtë raport, RISHM bën me dije se do të kërkojë pranë organit të Prokurorisë se rrethit gjyqësor të Pukës fillimin e proçedimit penal për shkelje të rregullave të sigurimit teknik me pasojë vdekjen ndaj përgjegjësit të minierës, drejtuesve teknikë dhe përgjegjësve të turnit.

Po ashtu do të marrë masa administrative me gjobë për personat e tjerë përgjegjës, duke filluar që nga administratori i kompanisë “BERALB”.

“Grupi inspektorëve të Repartit te Inspektim-Shpëtimit të Minierave, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe dokumentacionit të disponueshëm në subjekt, konstatoi se: Gjatë kontrollit të urdhërave ditorë të punës, fronti ku ndodhi aksidenti nuk ishte planifikuar për t’u punuar. Sipas deklaratave të personelit inxhiniero-teknik, punëtorët janë çuar atje për të punuar mbi bazën e urdhërit verbal të dhënë nga përgjegjësi i minierës. Në këto kushte, drejtuesit teknikë dhe përgjegjësi i turnit duhet të kishin  ndaluar menjëherë punën”, thuhet në raport.

Më tej RISHM konstaton se shkaku i aksidentit me pasojë vdekjen e Gjovalin Prengës është shembja nga tavani dhe faqja anësore e një masivi minerali.

Shkelja e rregullores së teknikës së sigurimit nga përgjegjësi i minierës, drejtuesit teknik dhe përgjegjësi i turnit kanë sjellë ndodhjen e aksidentit me pasojë vdekjen e minatorit.

Pas këtij aksidenti puna në këtë minierë është ndërprerë dhe do të rifillojë vetëm pas përmbushjes së detyrave që do të vendosen pas analizës përfundimtare për sigurinë.

Top Channel