Bota uron Kosovën, vendi bëhet gati për 7-vjetorin e pavarësisë

16/02/2015 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama uron
Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e
përvjetorit të shtatë të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së
Kosovës.

Sipas një njoftimi për shtyp nga presidenca në tekstin e mesazhit të urimit shkruhet: “Çdo vit, vazhdoj të impresionohem me përparimin e Kosovës si një demokraci sovrane dhe shumetnike. Zgjedhjet historike parlamentare në qershor ia kanë dëshmuar botës përkushtimin e Kosovës për proceset demokratike në të gjithë vendin. Ju përgëzoj për lidershipin dhe këmbëngulësinë në punën tuaj me udhëheqësit partiakë gjatë procesit të zgjatur të krijimit të qeverisë”.

Më tej Obama thotë se, “mirëpresim dhe plotësisht mbështesim integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Ne mirëpresim konkurrimin, krah për krah, me atletët e Kosovës në Lojërat e ardhshme Olimpike. Ne gjithashtu e vlerësojmë mbështetjen e vendit tuaj për koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS dhe përkushtimin tuaj të fuqishëm për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, një nga përparësitë kryesore të administratës sime. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit të plotë Euro-Atlantik dhe në ndërtimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e saj”.

Presidenten Jahjaga e ka uruar edhe mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeta e Dytë. Me anë të një mesazhi, monarkja i ka shprehur popullit të Kosovës dëshirën e saj për prosperitet gjatë vitit në vijim.

“Kam kënaqësi që t’i dërgoj Shkëlqesisë Suaj përshëndetjet e mia më të ngrohta në festimin e Ditës tuaj Kombëtare, bashkë me dëshirat e mia më të mira për lumturinë dhe prosperitetin e popullit të Kosovës gjatë vitit në vijim”, thuhet në letrën e urimit të mbretëreshës.

Ndërkohë, duket se edhe obelisku i pavarësisë, “New Born”, të cilit gjatë fundjavës iu ndryshua pamja në një aksion qytetar të organizuar nga autori Fisnik Ismajli, është gati për ditën e martë. Ndërkohë, në sheshet e qytetit, gjatë natës janë hequr flamujt shtetërorë me 5 yje të vendosur gabimisht.

Axhenda zyrtare e datës 17 shkurt fillon me homazhe në varrin e presidentit Ibrahim Rugova në Prishtinë dhe komandantit Adem Jashari në Prekaz. Më pas, në sheshet qëndrore do të interpretojë Ansambli Shota.

Në axhendën festive të qeverisë përfshihet si eveniment për 17 shkurtin edhe ndarja e çmimeve letrare nga Ministria e Kulturës. Ndërsa siç është traditë, në orën 15 do të mbahet edhe një seance solemne e Kuvendit.

Pas një pritjeje nga presidentja dhe kryeministri, mbrëmja festive zyrtare do të mbyllet me ndezjen e organizuar të fishekzjarreve në qendër të Prishtinës.

Top Channel