Rama, i pari udhëheqës i rajonit që do të pritet nga Juncker në Bruksel

16/02/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama do të jetë udhëheqësi i parë i rajonit që pritet
të enjten në Bruksel nga presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude
Juncker, që pas zgjedhjes së tij në krye të këtij institucioni, ndërsa
renditet i dyti për kryetarin e Këshillit të BE-së, Donald Tusk, pas
takimit të dhjetorit me kryeministrin maqedonas Gruevski.

Në këtë vizitë zyrtare, shefi i Qeverisë shqiptare do të shoqërohet nga ministrat Ditmir Bushati dhe Klajda Gjosha dhe nga pala europiane pritet i njëjti numër përfaqësuesish në tryezë.   

Megjithëse flitet se në takimin me Presidentin Juncker, mund të jetë e pranishme dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, zyra e saj nuk e konfirmon ende një të tillë, për shkak se agjenda e saj parashikon ende një mision jashtë Brukselit. Po kështu, edhe Komisioneri Johannes Hahn nuk do të jetë i pranishëm për shkak të vizitave të programuara për këtë javë në Maqedoni e Kosovë.  

Në takimet e së enjtes pritet të diskutohet mbi zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, për ecurinë e përmbushjes së 5 prioriteteve kyçe, mbi situatën në rajon, për çështjet që lidhen me sigurinë e BEsë, përfshirë masat kundër terrorizmit.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel