Çmimi i lartë i karburanteve, kërkohet ndryshimi i ligjit

16/02/2015 00:00

Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimin e shumëpërfolur në tregun e
karburanteve pa marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj kompanive nën hetim.

Sipas Autoritetit, nga hetimi nuk u gjetën prova të mjaftueshme që të provonin marrëveshje të ndaluara apo abuzim me dominancën kolektive midis tregtarëve.

Por edhe pse nuk i ndëshkoi kompanitë, Autoriteti pranon se konkurrenca në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve nuk është efektive. Sipas institucionit gardian të Konkurrencës vetë ligjet që rregullojnë tregun e karburanteve, por edhe udhëzimet kanë deformuar tregun duke shkaktuar kosto të tepërta për qytetarët. Një nga këto është ajo e krijimit të hallkave të tepërta në treg, të cilat nuk justifikojnë vlerën e shtuar.
 
Këto hallka, – thotë Autoriteti, – kanë shkaktuar rritjen artificiale të kostove në kurriz të qytetarëve dhe bëjnë që çmimi i karburanteve në tregun vendas të jetë i ngurtë dhe të mos përcjellë uljen në bursa.

Paralelisht, Autoriteti ka gjetur se tregu i karburanteve, veçanërisht në import ka një shkallë të lartë përqëndrimi, e cila vazhdon të rritet. Në këtë situatë, Autoriteti thotë se është i pafuqishëm ta ndalë i vetëm mundësinë për abuzim në këtë treg nga ndërmarrjet, pa mbështetjen e institucioneve të tjera.

Për këto arsye, institucioni që ruan konkurrencën në vend i kërkon Qeverisë të ndryshojë ligjin për hidrokarburet, duke i dhënë mundësi kompanive të shumicës që të tregojnë edhe në tregun me pakicë për të shmangur hallkat e tepërta që rrisin çmimin. Po kështu Autoriteti i rekomandon Qeverisë ngritjen e një njësie të posaçme, për të monitoruar çmimet e naftës dhe benzinës në treg, duke detyruar kompanitë që për çdo ndryshim të çmimit të njoftojnë këtë njësi dhe autoritetin. Së treti, institucioni i Konkurrencës kërkon nga Qeveria që të vlerësojë se si po zbatohet marrëveshja koncesionare në portin ‘Vlora 1’, e cila ndalon kompaninë koncesionare të tregtojë karburant.

Në fund, vendimi kërkon që Qeveria të kontrollojë hyrjet dhe daljet e shpeshta të ndërmarrjeve në tregun e shumicës, të cilat gjenerojnë konkurrencë të pandershme.

Top Channel