Kosova, pa energji Ditën e Pavarësisë?

16/02/2015 00:00

Kompania kosovare për shpërndarjen e energjisë elektrike ka paralajmëruar për ndërprerje të mundshme të furnizimit në Kosovë dhe ka bërë thirrje për kursim. Ky paralajmërim vjen një ditë para festimeve të parashikuara për Ditën e Pavarësisë.

“Si distributor dhe furnizues, papritmas jemi duke u përballur me mungesë të paplanifikuar të rreth 400 MWh të energjisë elektrike në sistem. Fatkeqësisht, për shkak të pamundësisë së realizimit të importit dhe për shkak të sasive të mëdha të nevojshme për import, gjatë ditës së sotme e deri në riaktivizimin e njësisë B1 do të mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe rezervave energjetike në vend”, ka njoftuar KEDS përmes një komunikate për shtyp.

Ndërsa gjatë fundjavës doli nga prodhimi njësia A3 në termocentralin “Kosova A” të KEK-ut, këtë të hënë qytetarët janë informuar edhe për ndërprerje të paplanifikuar të prodhimit të energjisë në njësinë B1 në termocentralin “Kosova B”.

Mësohet se këto ditë është duke u realizuar import shtesë për të përmbushur kërkesat e konsumatorëve. Ky import është jashtë bilancit energjitik të aprovuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Top Channel