SHBA, policia vret adoleshentin; zbulon vrasjen e prindërve dhe motrës së tij

16/02/2015 00:00

Gjithçka nisi si një ndjekje policore, pasi një adoleshent pretendohet se kishte injoruar urdhrin për ndalim nga një mjet i kontrollit të trafikut në shtetin e Marylandit. Por fundi i kësaj historie ishte vdekja e të dyshuarit 16-vjeçar, pas shkëmbim zjarrit me oficerët e policisë.

Gjatë hetimit të formimit kulturor të adoleshentit, policia gjeti edhe tre trupa të pajetë në një adresë banimi në Kentucky, që kishte lidhje me të. Autoritetet e të dyja shteteve po përpiqen të gjejnë lidhjet mes ngjarjeve në fjalë, që përfunduan me të shtëna në rrugë.

Ndër pyetjet që lindin automatikisht janë: Si arriti adoleshenti, i identifikuar si Jason C. Hendrix nga Corbin në Kentucky, të linte vendlindjen e tij dhe të hynte në Qarkun Baltimore? A i vrau ai nënën, babain dhe motrën e tij? Nëse po, pse dhe kur? Dhe e fundit, përse ai u drejtua për nga Maryland më pas?

Shumë pyetje për t’iu dhënë përgjigje nga dy shtete. Historia nisi si një kontroll rutinë ndaj trafikut përgjatë ditës së Shën Valentinit. Hendrix, i cili ishte duke ngarë një “Honda Pilot”, refuzoi të ndalonte para oficerëve që tentuan kontrollin e tij në autostradën ndërshtetërore 95, sipas departamentit të policisë së Baltimorës.

Menjëherë nisi ndjekja policore dhe forcat e rendit arritën ta rrethonin atë, pasi ai goditi një tjetër mjet në seksionin “Woodlawn”, gjë që e detyroi atë të ndalonte.

“Kur oficerët iu afruan shoferit të mjetit Honda, u dëgjuan të shtëna nga brenda mjetit, të cilat goditën një oficer”, thanë autoritetet. “Oficerët iu kundërpërgjigjën zjarrit”. Hendrix, i cili ishte i vetëm në makinë, mbeti i vdekur.

Oficeri i plagosur gjatë të shtënave u dërgua për trajtim në një spital lokal dhe më pas u la i lirë, pasi plagët nuk ishin të rënda. “Jeleku antiplumb që mbante veshur e shpëtoi nga të shtënat”, njoftoi policia. Autoritetet gjetën më pas “një pistoletë dhe armë të tjera” gjatë kërkimeve në makinën e të dyshuarit.

Rreth 800 km larg vendit të të shtënave, një tjetër skenë e frikshme priste hetimet e radhës.

Detektivët e Baltimorës ndoqën gjurmët e makinës së të dyshuarit, që figuronte e regjistruar në një adresë banimi në Corbin. Ata kontaktuan me homologët e tyre atje, të cilët shkuan në vendngjarje dhe gjetën trupat e pajetë të Kevin Hendrix, gruas së tij Sarah, si dhe vajzës së tyre.

“Policia e Corbinit për pasojë nisi një hetim për këto vdekje, investigim që ende vijon”, thonë autoritetet e Baltimorës. Departamenti i policisë së Corbinit refuzoi të komentonte mbi ngjarjen mëngjesin e së hënës, kur u kontaktuan nga CNN, duke thënë se kishin informacione të pakta.

Policia beson se i dyshuari kryesor për këto vdekje është Jason Hendrix, teksa babai, nëna dhe motra e tij kanë mbetur viktima të të shtënave me armë, sipas zëdhënësve të policisë së Corbinit.

Top Channel