Festimet për pavarësinë, PDK përplaset me komunat

16/02/2015 00:00

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë i ka dhuruar këtë të hënë një flamur të Kosovës dhe një kopje të Kushtetutës kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Aksioni simbolik u organizua në shenjë pakënaqësie ndaj komunës, e cila më herët kishte paralajmëruar se për shkak të mjeteve financiare të pamjaftueshme nuk do të organizojë festime të mëdha për festën e Pavarësisë së Kosovës.

“Kemi ardhur këtu në komunën e Prishtinës, e po ashtu do të vazhdojmë edhe në komunën e Graçanicës, për të takuar kryetarët Ahmeti dhe Kostiç, për t’u dhuruar nga një flamur të Republikës së Kosovës, si shenjë urimi për përvjetorin e Pavarësisë, pasi këto dy komuna nuk do të bëjnë ndonjë organizim dhe do ta sabotojnë festimin e ditës së Pavarësisë së Kosovës”, deklaroi Triumf Sadikaj, kryetar i RDK-së.

Kryetari Shpend Ahmeti reagoi duke thënë se komuna nuk ka marrë asnjë vendim për bojkotim të festës, duke theksuar se ishin pjesë e organizimeve të qeverisë së Kosovës për nder të 17 shkurtit.

E njëjta dhuratë iu bë edhe kryetarit të Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiç. Krahasimin me Kostiç, Ahmeti e quajti një akt të turpshëm, duke theksuar se Lista Srpska, prej nga edhe vjen Kostiç, nuk e njeh Republikën e Kosovës, ndërsa Vetëvendosje punon për zbatimin e Kushtetutës në gjithë vendin.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të PDK-së në komunën e Prishtinës, Lirak Çelaj ka kundërshtuar pretendimet e komunës se nuk ka mjete financiare të mjaftushme për organizimin e aktiviteteve.

Ndërkohë që Komuna e Prishtinës ka njoftuar një seancë solemne te Kuvendit Komunal për Ditën e Pavarësisë dhe organizimin e një koncerti. Komuna sqaroi gjatë së hënës se e shënon përvjetorin e pavarësisë së Kosovës sipas përgjegjësive dhe kompetencave që ka.

“Komuna e Prishtinës ka qenë pjesë e grupit të punuës të koordinuar nga qeveria e Kosovës, sepse axhenda e ditëve të pavarësisë koordinohet nga niveli qendror. Sivjet, në krahasim me vitin e kaluar, punët organizative kanë filluar shumë vonë dhe në përgjithësi qeveria ka një axhendë më modeste për këtë përvjetor“, thuhet në komunikatë.

Top Channel