Nju Jork, rekordi i ditëve pa viktima nga të shtënat ndalet në 12

16/02/2015 00:00

Rekordi më i gjatë i ditëve pa asnjë vrasje në Nju Jork Siti mori fund natën e së premtes, kur një burrë 28-vjeçar u qëllua disa herë me armë, pak para mesnate.

Eric Roman u transportua menjëherë në një spital lokal në gjendje kritike për jetën, pasi plumbat i kishin prekur pjesë jetike si koka dhe gjymtyrët, por ndërroi jetë ditën e shtunë, sipas Departamentit të policisë së Nju Jorkut.

Merr fund kështu edhe ecuria prej 12 ditësh pa vrasje në Nju Jork Siti, një rekord në kohët moderne siç e konsideroi edhe vetë policia gjatë së hënës.

Vrasja e fundit e raportuar ishte bërë më 1 shkurt, të dielën e “Super Bowl”-it në Upper Manhattan.

Atë ditë, policia i ishte përgjigjur një telefonate që raportonte për të shtëna të shumëfishta, duke gjetur 5 individë me plagë të rënda e të lehta nga plumbat, bën të ditur policia e Nju Jorkut. Mes 5 të plagosurve, Graham Shadale, 28 vjeç, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vendngjarje.

Policia ende nuk ka bërë asnjë arrestim, qoftë për ngjarjen e 1 shkurtit, ashtu edhe për atë të së premtes në mesnatë, teksa hetimet janë duke vijuar për të dyja rastet, thonë zyrtarët.

Rekordi prej 12 ditësh pa vrasje ka qenë më i gjati, që kur Departamenti i policisë së Nju Jorkut nisi të regjistronte statistikat me një program kompjuterik të quajtur “Compstat”, në vitin 1994, tha një përfaqësues i policisë.

Komisari i policisë, Bill Bratton, foli në heshtje për këtë rekord: “Shsh… të mos ndjellim ters tashmë”, tha Bratton gjatë së premtes. “Jemi në ditën e 12 tani, ndërkohë që edhe e 11-ta ishte rekord… le të shpresojmë që të vazhdojë”.

Pavarësisht ndalimit të këtij rekordi, ka pasur një rritje të vogël të incidenteve me të shtëna, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Java e parë e shkurtit ka parë 110 incidente me të shtëna në vitin 2015, krahasuar me 91 të tilla në vitin 2014, sipas detektivit Cheryl Crispin, nga zyra për informacion publik në Departamentin e policisë së Nju Jorkut.

Rekordi i mëparshëm i qytetit të Nju Jorkut ishte 10 ditë pa asnjë vrasje prej të shtënave, si dhe u regjistrua gjatë vitit 2014 mes datës 13 shkurt deri më 22 shkurt.

Top Channel