Publikohet videoja e rrëmbimit të Enver Stafukës

16/02/2015 00:00

Rreth 60 sekonda ka zgjatur rrethimi e më pas rrëmbimi i Enver Stafukës, personi i cili është marrë peng që prej datës 8 shkurt dhe që fati i të cilit ende nuk dihet.

Nga pamjet filmike të rrëmbimit të tij, të sigurara nga Top News, duket qartë momenti kur në orën 19:46, Enver Stafuka i drejtohet automjetit të tij, i parkuar në qendër të Fushë Krujës.

Vetëm pak sekonda pasi ai ka hapur derën e mjetit, fillimisht një person i drejtohet dhe e nxjerr nga mjeti e më pas dy të tjerë e rrethojnë.

Pas prangosjes së 48-vjeçarit Stafuka, në ndihmë të tre personave të maskuar ka ardhur një automjet, në të cilin është futur me forcë 48-vjeçari, e më pas është larguar me shpejtësi.

E gjithë skena, e filmuar nga një kamera sigurie, zgjat rreth 60 sekonda, por është e vështirë të bëhet identifikimi i targave të automjetit në të cilin është futur Stafuka.

48-vjeçari nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare, pasi ai është ndaluar në maj të vitit 2013, si i dyshuari për vjedhjen e makinës me të cilën e vra kryekomisar Dritan Lamaj, por që më pas u la i lirë.

Kanë qenë familjarët e tij të cilët kanë denoncuar rrëmbimin e Enver Stafukës, duke vënë në lëvizje Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Burime zyrtare nga organi i akuzës bëjnë me dije se fillimisht janë marrë në pyetje familjarët e 48-vjeçarit dhe persona të afërm të tij, si dhe persona që mund të kenë të dhëna të nevojshme për hetimin, për të identifkuar konflikte ose persona të mundshëm që mund të jenë autorë të këtij rrëmbimi, si dhe për të zbardhur shkaqet që çuan në këtë ngjarje.

Top Channel