Raporti për vjedhje bankare në rreth 1 mld USD, ekspertët e sigurisë ngrejnë dyshime

16/02/2015 00:00

Një kompani udhëheqëse e sigurisë ka bërë të ditur se ka zbuluar një sulm kibernetik “të paprecedentë” ndaj afro 100 bankave, gjë që mund të rezultojë në humbje prej rreth 1 miliard dollarësh.

Por, ekspertët e sigurisë janë të ndarë mbi shkallën e shkeljeve të pretenduara, ashtu sikurse edhe për shumën “cash” që mund të jetë vjedhur.

Kompania ruse “Kaspersky Lab” ka bërë të ditur se hackerat kanë mundur të sigurojnë akses nëpër rrjete bankare, duke dërguar emaile mashtruese ndaj stafeve të tyre. Sipas saj, kriminelët kanë manipuluar edhe makineritë e parave “cash” (bankomatet) për të shpërndarë paratë e vjedhura.

Shumica e bankave që pretendohen të kenë rënë viktima të kësaj skeme kibernetike janë të bazuara në Rusi, ndërsa disa të tjera janë të përhapura në Kinë, Ukrainë dhe Uzbekistan, por nuk mungojnë edhe vende të tjera.

Një bankë thuhet të jetë e bazuar në Britaninë e Madhe, e megjithatë nuk besohet të jetë një ndër bankat më të rëndësishme. Kaspersky ka bërë të ditur gjithashtu se ka nisur të punojë me Interpolin dhe Europolin për të kryer hetimet.

Sipas kompanisë ruse, grupi i kriminelëve është ende aktiv dhe një prej drejtuesve të Kaspersky-t ka deklaruar për “New York Times” se “ky pretendohet të jetë sulmi më i sofistikuar që është parë në botë deri më sot, sa u përket taktikave dhe metodave që kriminelët e kibernetikës kanë përdorur për të mos u zbuluar”.

Zbulimet e Kaspersky-t bazohen edhe në një raport të publikuar nga një tjetër kompani e sigurisë kibernetike, “Fox-IT”, të vitit të kaluar.

Duke komentuar ndaj njoftimeve të Kaspersky, “Fox-IT” bën të ditur se që prej publikimit të gjetjeve të saj në dhjetor, “grupi ka ulur aktivitetet e tij dhe mund t’i ketë ndalur thuajse tërësisht ato tashmë”.

Disa ekspertë të tjerë sigurie kanë vënë në dyshim edhe shifrat për vjedhjen e 1 miliard dollarëve. “Shumë parà do të merren sërish mbrapsht”, tha Dr. Steven Murdoch nga grupi për kërkimin e informacioneve të sigurisë në kolegjin universitar të Londrës, duke shtuar se edhe pse një “shifër e konsiderueshme” është përfshirë në këto vjedhje, gjithsesi shifrat janë mbivlerësuar. Megjithatë, ai shtoi se gjetjet e këtij raporti duhen të jenë “të dobishme për bankat”.

Një tjetër ekspert për sigurinë kibernetike, Prof. Alan Woodward, nga universiteti i Surrey-t, tha për BBC se “askush nuk e di shifrën reale të vjedhur”, por është e qartë se kriminelët kanë “një durim të madh dhe kanë bërë planifikime të rëndësishme”. Ai tha se kompanitë e prekura duhet të punojnë për të “mbyllur dyert dhe më pas të gjejnë përgjigjen sesa janë humbjet”.

Top Channel