Itali, shkatërrohet grupi i drogës, furnizohej nga Shqipëria dhe Amerika e Jugut

16/02/2015 00:00

Përmes një operacioni të gjerë, ku morën pjesë 400 efektivë të Guardia di Finanza, reparteve ajrore dhe detare, u shkatërrua një prej organizatave më të mëdha e të fuqishme të trafikimit të drogës në Itali, e cila furnizohej nga Shqipëria dhe Amerika e Jugut.

Pas hetimeve dyvjeçare, të kryera me ndihmën e teknologjive më të sofisktikuara dhe të satelitëve, u lëshuan dhe u zbatuan 33 urdhër-arreste për anëtarët e bandës.

I njohur si “klani i ciganëve”, grupi kishte bazë në Kalabri, ndërsa vepronte në rajone të ndryshme të vendit fqinj, nga Pulia në jug deri në Lombardi dhe Piemonte në veri.

Sipas mediave lokale, agjentët kapën mbi 3 tonë drogë, sasi që pas përpunimit dhe shpërndarjes do të sillte rreth 45 milionë euro fitime. Organizata kishte kanale furnizimi me çmime konkurruese për disa lloje lëndësh narkotike.

Hetuesit bëjnë të ditur se sasi të mëdha marijuhane dhe heroine sillej nga Shqipëria me mjete lundruese, ndërsa kokaina mbërrinte nga vendet amerikano-jugore.

Përveç lëndëve narkotike gjatë operacionit u sekuestruan armë të shumta, mjete lundruese, automjete luksoze dhe pasuri të paluajtshme.

Top Channel