Flutura dhe Erjoni: Prej 15 vitesh jemi kolegë dhe bashkëshortë

16/02/2015 00:00

15 vite më parë, Erjoni dhe Flutura nuk e kishin menduar se nga kolegë pune, një ditë do të jetonin bashkë. Njohja ishte fare e rastësishme në radion lokale të Kavajës.

Flutura drejtonte një emision të përditshëm, ndërsa Erjoni punonte fillimisht në pultin e transmetimit. Nuk vonoi shumë dhe ata nisën të bashkëdrejtonin emisionin. Kontakti i përditshëm dhe ndarja e ambienteve të punës, bëri që të dy ta shihnin njëri-tjetrin me një sy tjetër.

“Aty ka qenë takimi ynë i parë mes meje dhe Erjonit. Normalisht filluam punën si kolegë fillimisht. Janë pikërisht emocionet e atij emisioni, që kishte si bazë ngjarje nga jeta aktuale. Këto gjëra lindën natyrshëm, asgjë nuk ishte e sforcuar. Nuk e pata aspak të vështirë që nga koleg, mik dhe shok shumë të mirë, ta kisha më pas në të ardhmen edhe bashkëshort”, shprehet Flutura Kasa.

Për katër vite, ata punuan së bashku në dy radio lokale. Lidhja nuk ndikonte aspak në punë, përkundrazi suksesi i emisionit ishte pikërisht dyshja Erjoni-Flutura.

“Siç mund të kuptohet, fillimisht ishte shumë e fshehtë, më pas filluan shikimet me bisht të syrit, interesi çfarë po bën, me çfarë po merret. Përgjithësisht nuk kishte kundërshtime përse ne pëlqeheshim me njëri-tjetrin. Absolutisht jo, madje na krijonin edhe hapësira për të qëndruar bashkë, në shumë raste”, thotë më tej Flutura Kasa.

Paralel me punën ndoqën studimet e larta për Gazetari në Universitetin e Elbasanit. Tashmë përveç zyrës, ndanin dhe bankën. Sfida e radhës ishte televizioni…

“Unë kam qenë emigrant dhe kthehesha nga emigracioni, që e konsideroja të mbyllur. Fillimisht iu riktheva ‘dashurisë së vjetër’, apo të qenit DJ në radio. Gjeta alternativën më të mirë të mundshme që ekzistonte për punësim dhe fillova punë në radio. Emision pas emisioni, u futëm edhe më thellë, deri sa më pas dyshja Flutura-Erjoni u bë edhe më e njohur në Kavajë. Morëm edhe emisionin qëndror në radion lokale atje, ndërsa më vonë u bëmë edhe drejtues të një televizioni lokal, sërish atje, i cili më i evoluar, më modern dhe bashkëkohor. Kam njohur shumë njerëz që janë lidhur në vendin e punës, sikundër kam njohur edhe raste të tjera që nuk kanë pasur një afrimitet të tillë. Varet nga tipi dhe përputhja e karakterit, por dhe shumë faktorë të tjerë. Neve na u përputhën gjërat”, shprehet Erjon Skendaj.

Më 20 gusht të 2008-s, çifti i gazetarëve martohet. Një vit më vonë, familja shtohet me një vajzë.

“Sot për një gazetar është e vështirë. Sidomos për gazetarin e terrenit apo atë që punon me kohë të plotë, ndonjëherë edhe orar pa orar. Është e vështirë të gjejë shokun apo shoqen e jetës, për shkak se lajmi të ngarkon dhe të merr të gjithë kohën e mundshme gjatë ditës. Them se njeriu, kur do, e gjen shokun apo shoqen e jetës, ashtu siç kam bërë edhe unë”, thotë Erjon Skendaj.

A mund të funksionojë në lidhje me kolegun/en? Sigurisht që po, ata janë shembulli më i mirë, kur kolegu bëhet fillimisht bashkëshort, e më pas babai i fëmijëve.

Top Channel