Darzezë, familjet që jetojnë prej 23 vitesh me sytë nga dera

16/02/2015 00:00

13 nëntor 1991, ditë e mërkurë. 7 djem të rinj, 5 prej të cilëve të martuar dhe me fëmijë, banorë të fshatrave Darzezë dhe Hoxharë të Fierit, bëjnë një plan. Mendojnë të ikin ilegalisht drejt Italisë me një gomone, të cilin e kishin modifikuar duke i vënë një motor.

Të fortë fizikisht, me shkollë të lartë dhe njohuri të disa gjuhëve huaja, asnjëri në vështirësi ekonomike. Kjo nuk ishte hera e parë që ata tentonin të kalonin brigjet e Darzezës. Planin e mirëmenduar prej kohësh e finalizojnë atë pasdite…

Dhimitraq Çuko, Ferhat Bushi, Benjamin Bushi, Nazmi Abdurrahmani, Kristaq Zarka, Aleksandër Marku dhe Zenel Mustafarai, që prej asaj dite rezultojnë të zhdukur. Sot, 23 vite më pas, familjarët e tyre vazhdojnë t’ua ndiejnë mungesën, si ditën e parë. Të njohur nga i njëjti hall, ata mbajnë kontakte të vazhdueshme me njëri-tjetrin.

Mamaja e Benjaminit, bashkëshortja e Ferhatit dhe motra e Dhimitraqit, datën 13 të këtij muaji kanë vendosur ta kalojnë të rikthyera aty ku të dashurit e tyre u nisën më shumë se 2 dekada më parë.

“Ua bëra gati, kërkuan bukë me djathë me vete dhe ujë, sepse u thahej buza si radhën e parë. Qanin nuset se ishin të shqetësuara ku do rrinin ato dhe fëmijët. Por ata na siguruan se nuk e bënin për shumë orë detin”, thotë nëna e Benjaminit.

“Më kujtohet shumë keq ai moment, i bëja thirrje të kthehej mbrapsht se kishte fëmijët. Mirë për mua ‘nuk i vinte keq’, po për 3 fëmijët? Ktheu njëherë kokën mbrapa dhe iku me biçikletë duke mos e kthyer më. Kemi ndenjur te pishat buzë kanalit duke qarë, por ata u nisën”, thotë bashkëshortja e Ferhatit.

“Iku pa thënë që do largohej andej, sepse ishte larguar njëherë në qershor të atij viti por u kthye nga shteti italian. Atëherë na tha se nuk do të tentonte më, por pastaj morëm vesh se kishte ikur sërish më 13 nëntor, sërish me të njëjtin grup”, thotë motra e Dhimitraqit.

Griselda Bushi, vajza e Benjaminit ishte vetëm 3 vjeç e gjysmë, kur i ati u largua së bashku me 6 të tjerët. Ajo tashmë është bërë vetë prind.

“Mbaj mend momentin kur babi ka ikur nga shtëpia e nënës, ishin 3 veta dhe më kujtohet që ai ktheu vetëm një herë kokën… Këtë moment nuk do ta harroj sa të kem jetë, por e di mirë që ai ktheu kokën për të na parë përpara se të ikte”, thotë Griselda.

I ati i Benjamin Bushit dhe vëllai i Aleksandër Markut i kanë përcjellë vetë djemtë atë pasdite.

“Jo nuk isha kundër, sepse ata po e kërkonin dhe kishin tentuar edhe dy herë të tjera. Njëherë ikën me fuçi, por i kthyen. Natën që u nisën ata ishte mot i mirë, deti ishte i qetë, ndërsa të nesërmen në 11 të mëngjesit kanë nisur dallgët”, thotë i ati i Benjaminit.

“Ai në fakt nuk iku as me eksodin e madh, as me ambasadat, por në një kohë pak më të vonshme, gjë që i përket nëntorit të ’91-shit. Unë e kam përcjellë vet atë, por ashtu si iku ai… që atë ditë s’kam marrë asnjë kontakt”, thotë vëllai i Aleksandrit.

“Nuk më hiqet nga mendja, kudo që vete për dasma apo për vdekje, mua nuk më bëhet të kthehem në shtëpi. Darkat që shtroj kur vijnë njerëz më kujtojnë atë moment. Më mungon Benjamini, e kisha djalin e madh”, thotë e ëma e Benjaminit.

“Jo vetëm 13 nëntori, por çdo datë 13 e muajve të tjerë më duket si 13 nëntor. Dhe jo vetëm mua, por edhe motrave të tjera. Madje çdo 13 nëntor na duket sikur është ende ajo ditë e 1991-shit”, thotë më tej motra e Dhimitraqit.

“Në vitin 1997, s’e mbaj mend mirë ka qenë maj apo qershor, pikërisht në këtë rrugën këtu është ndaluar një person jo i kësaj lagjeje, dhe është pyetur nga dy persona, të cilëve nuk ua dija kombësinë, por dukeshin që mezi e flisnin shqipen. Makinën e mbaj mend që ishte e zezë dhe me targa të huaja, dhe në duar kishin një letër për të cilën kërkonin Spiro Çukon. Ajo letër nuk na ra në duar, dhe nga ai moment e deri më sot s’kemi marrë asnjë informacion”, tregon motra e Dhimitraqit.

“Në qoftë se ai njeri do të ishte diku, unë do të kisha marrë një mesazh për që ishte gjallë. Por kjo nuk ndodhi”, thotë vëllai i Aleksandrit.

“Të paktën për 10 vjet rresht e kam kërkuar me të gjitha mënyrat që mund ta kërkojë një njeri të afërmin e tij”, vijon më tej ai.

“Kam lëvizur dhe do të vazhdoj të lëviz. Nuk do kursehem asnjëherë dhe për asgjë. Nuk besoj të ketë motër që të kursehet për të vëllanë”, thotë motra e Dhimitraqit.

“Shpresa nuk humb asnjëherë, vetëm kur të mbyllim sytë do të na humbasë ajo”, thotë bashkëshortja e Ferhatit.

“Natyrisht që shpresa nuk vdes kurrë. Shpresa kam, por sa vjen edhe veniten”, rrëfen vëllai i Aleksandrit.

“Nëna, çdo datë 13 shkonte në kishë dhe ndizte një qiri. Gjithmonë, si nëna, babai edhe motrat, me shpresën që ata birin e tyre dhe ne vëllanë tonë e kemi gjallë. Vetëm këtë shpresojmë”, thotë motra e Dhimitraqit.

“Ne nuk lodhemi asnjëherë por shpresat tona varen te Zoti më shumë. Shpresojmë mos dalin gjëkundi, por deri tani s’kanë dalur”, thotë i ati i Benjaminit.

“Shpresa vdes e fundit. Sigurisht që shpresoj dhe nuk mund t’i them vetes sime që s’kam shpresë për ta takuar”, thotë e bija e Benjaminit.

Top Channel