Renato Mekolli, së shpejti me restorant në Shqipëri

16/02/2015 00:00

“MasterChef Albania 2” ka mbyllur siparin e tij dhe, ashtu siç u anonçua në momentin e dorëzimit të trofeut ndaj Blerit, nga njëri prej shefave të spektaklit, Renato Mekolli, gjithçka është hapur për sezonin e tretë, ku ftohen të marrin pjesë të gjithë të interesuarit dhe të apasionuarit pas gatimit…

Të shumtë kanë qenë ata që e kanë ndjekur edicionin e dytë të këtij spektakli, dhe që janë dashuruar pas tij, ndoshta edhe sepse – siç thonë – “dashuria vjen nga stomaku”. Megjithatë, jo çdo gjë ka qenë e lehtë për konkurrentët pjesëmarrës, sidomos në momentet kur dilnin përpara gjykimeve të tre shefave. Pjata që, për këdo prej atyre që nuk dinë edhe aq mirë të gatuajnë, mund të dukeshin fantastike, ndërkohë që një shef si Renato Mekolli guxonte edhe ta hidhte tutje…

Por, çfarë bëjnë shefat pas gjithë kësaj sfide dhe spektakli impenjativ? Në lidhje të drejtpërdrejtë me “Pasdite në Top Channel”, të drejtuar për herë të parë nga moderatorja Jonida Shehu, ka qenë pikërisht shef Renato Mekolli, njëri prej tre artistëve të shijes, siç mund të konsiderohet treshja Sokol Prenga, Gëzim Musliaka dhe vetë Renato.

Renato Mekolli është kthyer në punën e tij, në restorantin ku punon prej vitesh në Athinë, një restorant ku shkojnë edhe shumë njerëz të famshëm grekë dhe të huaj. Për të u mbyll një kapitull televiziv i suksesshëm, por rinisi aktiviteti i tij i përditshëm.

“E fillova punën menjëherë, madje edhe duke qenë i sëmurë me ftohje. Tashmë jam duke gatuar, sepse kemi një tavolinë shumë të rëndësishme poshtë, duke më pritur mua. Kam përgatitur edhe bukët, që duhen futur në furrë për t’u pjekur, ndërsa stafi është duke bërë përgatjet e tjera të nevojshme”, thotë Renato.

TCH: Çfarë ke vendosur t’u servirësh këtyre njerëzve të rëndësishëm në restorant?

Renato Mekolli: Është një menu me nga 10 pjata për secilin prej tyre, duke filluar nga supa e duke përfunduar me ëmbëlsirën, që vazhdon me ëmbëlsira edhe më të vogla për të shoqëruar çajin ose kafenë e tyre. Shpresoj që të ngelen të kënaqur.

TCH: E dimë tashmë që njerëzit janë shumë të rëndësishëm, por nuk e di nëse ke mundësi të na zbulosh se kush janë këta, sepse kur kemi biseduar në të kaluarën bashkë të kam pyetur edhe për Alexis Tsipras, kryeministrin aktual të Greqisë, për të cilin më ke thënë që konsumonte shumë bukë.

Renato Mekolli: Nuk e di nëse ha shumë, apo i pëlqen këtu sepse ne e bëjmë bukur dhe është shumë e shijshme. Ka pak kohë që nuk ka ardhur, por vjen shpesh. Besoj se sapo të qetësohet situata politike në Greqi do të kërkojë të relaksohet dhe do të vijë përsëri këtu.

TCH: Renato, ta lëmë historinë me Tsiprasin, kur do të vish përsëri në Tiranë?

Renato Mekolli
: Në Tiranë do të vij shumë shpejt, pasi “MasterChef” do të fillojë shumë shpejt me xhirimet e sezonit të tretë, dhe mesa kam kuptuar, jam gati të filloj edhe diçka të madhe në Shqipëri, për sa i përket një restoranti.

TCH: Pra do të kemi mundësi që ato çfarë kemi parë dhe dëgjuar nga Renato, tashmë t’i provojmë edhe nga afër?

Renato Mekolli: Në fakt vetëm keni dëgjuar, sepse unë vetëm kam kritikuar dhe bërtitur. Por do të vijë edhe momenti kur edhe ju të më bërtisni paksa mua, apo jo? Jam i sigurt që do të heq shumë…

TCH: Në fakt jo vetëm që konkurrentëve ua ke nxirë jetën, por ke bërë edhe shumë ‘armiq’ nga ekrani. Janë pikërisht ata që i shihnin konkurrentët me shumë mund të gatuanin gjithë ato pjata të bukura, ndërkohë që ti ua hidhje përtokë, madje duke shtuar edhe frazën ‘nuk kam parë më të shpifur sesa kjo’. Ka njerëz që do të donin të të kishin ty në ato momente në gjykim, e ke ndjerë këtë?

Renato Mekolli: Po mirë, le të më fusin një grusht (qesh).

TCH: Ti je jo vetëm mjeshtër i gatimit, por edhe mjeshtër i televizionit. Kështu është Renato zakonisht me ata që duhet të marrin verdiktin e tij, apo ishte për të bërë audiencë gjithë ajo sjellje e jotja me ‘piper’.

Renato Mekolli: Në fakt në atë emision nuk kam bërë asgjë për “shoë”. Jam shfaqur i njëjti Renato, ashtu siç jam edhe në punën time, kërkoj maksimumin nga kolegët dhe maksimumin për klientët. Sepse janë klientët ata që paguajnë dhe nuk paguajnë pak. Nuk mund të kërkoj justifikime nga asnjëri dhe nuk mund të falem tek asnjëri, pasi klienti përpiqet gjithmonë të hajë gatimet më të freskëta, më të mira dhe më të shijshmet, falë kujdesit në gatim dhe kurimit të pjatës. Këtë gjë kërkoj edhe nga të gjithë konkurrentët që bëhen pjesë e “MasterChef”.

TCH: Kam marrë vesh se kush punon me ty dhe kush është vartës i yti, ti u bën zbor. Po ty kush të bën zbor në jetë?

Renato Mekolli: Edhe mua më kanë bërë zbor, sepse nuk linda i ditur. Po më pyesni sa i përket kuzhinës apo…?

TCH: Nuk e di. Nëse ka ndonjë, ndaj të cilit ndihesh më i frikësuar jashtë kuzhinës, pres të ma thuash.

Renato Mekolli: Jo nuk ka. Ruaj lidhje të mira dhe kam atë “çelësin magjik” timin, që i bëj të tjerët të zbuten menjëherë. Nuk kam ndonjë njeri që të më bëjë zbor.

TCH: Fakti që do të kthehesh në Tiranë për të hapur një restorant, i bën të gjithë kuriozë të dinë se çfarë fshihet pas teje.

Renato Mekolli: Le të gërmojnë dhe nëse do gjejnë diçka, do u them bravo. Por unë jam shumë i kujdesshëm me gjithçka rreth meje.

TCH: Kur të kthehesh në Tiranë, do të vish vetëm? E them sepse restoranti është një punë impenjative… Por mund të kontrollojmë edhe sistemin “TIMS” për të parë me kë do të udhëtosh…

Renato Mekolli: Unë do të kthehem vetëm, ndërsa personi tjetër gjendet aty.

TCH: Është e vështirë për ty të largohesh nga Greqia dhe të lësh impenjimin në restorantin në fjalë, i cili është shumë i famshëm dhe besoj se ata kanë nevojë për ty…

Renato Mekolli: Në fakt është e vështirë, por do të jem bashkë me njerëzit që drejtojnë restorantin ku jam tani. Besoj se gjithçka do të shkojë mirë, nuk do të lë Greqinë dhe restorantin, por do të jem me njerëz të rinj në Tiranë dhe njerëz që do t’i marr nga Greqia. Do të kem gjithë grupin tim për të bërë më të mirën në Shqipëri.

TCH: Kush të la më shumë përshtypje, përveç fituesit, në të gjitha mbrëmjet e “MasterChef”-it?

Renato Mekolli: Është e vështirë të zgjedh, sepse gjithçka që bënte Bleri më kujtonte veten time në hapat e para, kur isha i vogël, kur laja pjatat dhe më bërtiste shefi. Mbase e ekzagjerova pak, duke i hedhur tepsinë, por janë gjëra që ndodhin brenda në kuzhinë. Por mes të tjerëve do të theksoja edhe Irdin. Në përgjithësi gatuanin shumë mirë.

TCH: A kishte nga ata që u skualifikuan për çështje fati apo momenti të keq? Domethënë, që në një moment të gatuanin diçka shumë të mirë, por në një tjetër të dështonin… A kishte nga ata që u skualifikuan pavarësisht se kishin shumë talent?

Renato Mekolli: Kishte edhe nga ata, pasi ne si shefa shikonim vetëm pjatën që na ishte sjellë përpara në momentin aktual, jo ato që ke bërë në të kaluarën. Kështu që shpesh qëndronte edhe fati në pjatën që përgatitej. Mbase mungonte fantazia për atë pjatë, mbase kishte pak produkte për ta gatuar atë, ndoshta edhe mungesa e shijes në rastet kur jepnin vetëm 2-3 gjëra për një pjatë, por ne duhej të vlerësonim atë që na ofrohej përpara…

TCH: Të erdhi keq për ndonjërin prej atyre që takove, që nuk arriti ta realizonte ëndrrën e vetë?

Renato Mekolli: Jo nuk më erdhi keq për asnjërin. Kush iku, e bëri sepse duhej të ikte dhe qëndruan ata, që duhej të qëndronin. Madje fitoi ai që duhej të fitonte.

TCH: Pas sa kohësh do të kemi mundësi të të takojmë në Tiranë?

Renato Mekolli: Besoj se në prill do të jem aty, ndoshta edhe më shpejt për takime e diskutime. Fillimi sa i përket restorantit do të ketë shumë udhëtime vajtje-ardhje mes Athinës dhe Tiranës.

Edhe shefat e tjerë të “MasterChef” janë rikthyer në përditshmërinë e tyre; njëri në një nga restorantet që drejtohen prej tij, ndërsa shefi tjetër është në lëvizje nëpër Shqipëri.

Top Channel